Prishtinë, 11 prill 2026 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka shprehur ngushëllime familjes, miqve dhe dashamirëve të ish-kongresmenit amerikan Eliot Engel, mikut dhe mbështetësit të madh të Kosovës dhe të shqiptarëve.
Kurti, në një postim në Facebook, ka shprehur mirënjohje të thella për angazhimin e pakursyer të Engelit për çështjen e Kosovës në Shtetet e Bashkuara për më shumë se tri dekada.
“Në kohët më të vështira për shqiptarët, Engel nuk u kursye asnjëherë në angazhimin e tij, duke e ngritur dhe avokuar për mbrojtjen e çështjes sonë në institucionet më të larta amerikane. Ai ishte ndër zërat e hershëm dhe të palëkundur në mbështetje të Kosovës, në ditët kur drejtësia drejtësia për popullin tonë kërkonte guxim dhe vendosmëri”, ka shkruar ai.
Kurti ka theksuar se Engel zë një vend të veçantë në rrugëtimin e popullit të Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë.
“Liria dhe pavarësia e Kosovës janë sukses i sakrificës së popullit tonë dhe mbështetjes së aleatëve tanë perëndimorë, ku një vend të veçantë zë pikërisht kongresmeni Engel”, ka shkruar ai.
Eliot Engel u nda nga jeta të premten, në moshën 79 vjeçare. Ai ishte anëtar i Kongresit prej vitit 1989 deri në vitin 2021.
Postimi i plotë:
Dje mori rrugën e amshimit miku i madh i kombit tonë dhe kongresmeni i shquar Eliot Engel.
Për më shumë se tri dekada në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, ai ishte një shërbyes i përkushtuar i qytetarëve amerikanë dhe një zë i fuqishëm për të drejtat e njeriut. Në kohët më të vështira për shqiptarët, Engel nuk u kursye asnjëherë në angazhimin e tij, duke e ngritur dhe avokuar për mbrojtjen e çështjes sonë në institucionet më të larta amerikane. Ai ishte ndër zërat e hershëm dhe të palëkundur në mbështetje të Kosovës, në ditët kur drejtësia për popullin tonë kërkonte guxim dhe vendosmëri.
Takimet me të ishin gjithmonë të mbushura me vëmendje dhe interes të sinqertë për të ardhmen e vendit tonë. Liria dhe pavarësia e Kosovës janë sukses i sakrificës së popullit tonë dhe mbështetjes së aleatëve tanë perëndimorë, ku një vend të veçantë zë pikërisht kongresmeni Engel. Ai përfaqësonte bindjen se liria dhe të drejtat e njeriut janë themel i çdo shoqërie demokratike. Mirënjohja jonë për kontributin e tij në kauzën tonë kombëtare do të mbetet e përhershme.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe dashamirëve të kongresmenit.
(r.m.)