Prishtinë, 30 janar 2026 – Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të premten para mediave se Kosova dëshiron të kontribuojë për paqe në botë kudo ku ka nevojë, teksa e ka komentuar pjesëmarrjen e Kosovës në Bordin e Paqes, nismë e presidentit amerikan, Donald Trump në kuadër të planit për të rindërtuar Gazën e shkatërruar nga lufta.
Përmes këtij bordi, Shtetet e Bashkuara synojnë zgjidhjen e konflikteve globale.
Duke folur për herë të parë për Bordin e Paqes, Kurti ka thënë se pjesëmarrja e Kosovës në të është vazhdimësi e kontributit të Kosovës për Gazën, duke nisur me pjesëmarrjen në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese, përmes Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), përkatësisht me gjeneral-lejtnant komandantin, Bashkim Jashari.
“FSK-ja është e mirënjohur tashmë për kërkim-shpëtim dhe për deminim, por jo vetëm”.
Kurti i është referuar pjesëmarrjes së FSK-së në një konferencë të organizuar në dhjetor të vitit 2025 në Doha të Katarit nga Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara për të diskutuar për Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese.
“Prandaj kemi qenë të interesuar të marrim pjesë edhe në organet vendimmarrëse politike”, ka thënë mes tjerash Kurti.
Ai ka thënë se njëra prej arsyeve pse Kosova merr pjesë në iniciativa të tilla është për shkak se edhe ajo vetë ka qenë përfituese e paqes përmes ndërhyrjes së forcave ndërkombëtare.
“Sa i përket Gazës, ju e dini që ne i kemi ndarë gjysmë milioni euro si Qeveri dhe ky është proces i cili do të vazhdojë edhe në vijim”, ka thënë ai.
Forca Ndërkombëtare Stabilizuese është forcë paqeruajtëse shumëkombëshe, me mandat të Kombeve të Bashkuara, e cila parashihet të formohet sipas planit 20-pikësh të Trumpit për paqe në Gazë.
Ndonëse nuk janë bërë publike shumë hollësi për Forcën Stabilizuese Ndërkombëtare, ajo besohet se do të ketë mandat për të ofruar siguri dhe për të mbikëqyrur marrëveshjen e armëpushimit në Gazë.
Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se komandat i kësaj force është emëruar gjeneralmajori i ushtrisë Jasper Jeffers, komandant amerikan i operacioneve speciale.
(Sipas Radio Evropa e Lirë)