Kurti i sfidon partitë opozitare: Le të më testojnë nëse i kam votat për formimin e qeverisë

Prishtinë, 20 maj 2025 – Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, deklaroi se vendimi për propozimin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit të Kosovës është vendim i partisë që nuk do të tërhiqet.

“E kemi propozuar Albulena Haxhiun që është gruaja më e votuar si deputete në legjislaturën e nëntë. Besoj që është propozimi i duhur”, tha Kurti, në një intervistë për Radiotelevizionin e Kosovës, të martën në mbrëmje.

“Mos ta bëjmë këtë lojë negative. Duhet të respektojmë propozimet e njëri-tjetrit dhe të kemi një kryesi [Kuvendi] të bazuar në meritë”, shtoi ai.

Kurti e quajti të pajustifikueshme përpjekjen e partive që t’ua imponojnë njëra-tjetrës propozimet e kandidatëve.

“… unë them ta ruajmë shëndetin e demokracisë në Kosovë, të mos ia imponojmë propozimet njëri –tjetrit, sepse nëse partitë opozitare përzgjedhin brenda Vetëvendosjes dhe Vetëvendosje përzgjedh brenda partive opozitare, atëherë do të përfundojmë në një kryesi [të Kuvendit] ku të gjitha partitë do të jenë jo mjaftueshëm të kënaqur me të deleguarit e vet”, shtoi ai.

“Unë besoj që zgjidhja e duhur përpara është që të mos ia imponojmë propozimet njëri- tjetrit, por zgjedhja e kryetarit e nënkryetarëve të shkojë bashkë në paketë e të fillojë numërimi te poshtë për formimin e qeverisë, sepse tash po shkon numërimi përpjetë”, shtoi Kurti.

Ai tha se nuk e kupton se çfarë synon opozita me bojkotimin e procesit të votimit në Kuvend.

“Ata do të duhej ta votonin Albulenën një orë e më parë dhe të dëshmojnë se qeverisja e Lëvizjes Vetëvendosje me kryeministër Albin Kurtin po merr fund”, u shpreh ai.

Kurti i sfidoi ata që nuk besojnë se ai i ka 61 vota në Kuvend për t’u zgjedhur përsëri kryeministër.

“Atyre që nuk besojnë se unë i kam 61 vota për kryeministër unë u them: më testoni. Ata që besojnë se Albin Kurti nuk i ka votat e 61 deputetëve për t’u bërë kryeministër, përsëri e kanë në dorë të më testojnë: le ta votojnë Albulenën dhe le të më testojnë mua. Nëse unë dështoj, kjo do të ishte fitore për ta. Nuk është fitore duke e bllokuar kuvendin dhe duke e pamundësuar kuorumin”, tha Kurti.

Kurti tha se gjatë procesit të formimit të qeverisë do të jetë i gatshëm për kompromise dhe për koncesione. Ai shprehu keqardhje që Lidhja Demokratike e Kosovës e refuzoi ftesën për bashkëqeverisje.

Kurti bëri të ditur se me Nismën Socialdemokrate nuk është arritur marrëveshje për shkak të këmbënguljes së kryetarit të saj, Fatmir Limaj, që ta marrë pozitën e kryetarit të Kuvendit.

“Unë kam pasur takime me kryetarin Limaj. Takimet kanë kaluar në një atmosferë ku është rritur besimi, mirëbesimi dhe vullneti për të bashkëpunuar, mirëpo nuk ka pasur marrëveshje për shkak të kushtëzimit të marrëveshjes me pozitën e kryeparlamentarit. Unë jam në koalicion me partinë Guxo e Alternativën. Guxo i ka 6 deputetë dhe t’i jepet kryeparlamentari një partie me 3 deputetë kur në koalicion e ke një parti që e ka dyfishin e deputetëve të saj, kjo e dëmton arkitekturën e koalicionit”, u shpreh ai.

Sidoqoftë, Kurti e cilësoi si lajm të mirë kthimin e Nismës Socialdemokrate dhe të Fatmir Limajt në Kuvend. Ai tha se Nisma Socialdemokrati “do të duhej të jetë parti simotër” me Lëvizjen Vetëvendosje.

Kurti u pyet edhe për përbërjen e qeverisë së tij të re, në qoftë se LVV i siguron votat e nevojshme për formimin e qeverisë.

Ai tha se kryetari i Kuvendit të Kosovës në mandatin e kaluar, Glauk Konjufca, do të jetë pjesë e kabinetit të ardhshëm qeveritar, por nuk tregoi se cilin resor do ta udhëheqë. Për emra të tjerë nuk desh të flasë, por paralajmëroi se do të ketë edhe “befasi”.

“Synimi ynë është ta kemi një qeveri të re, e cila është e re në përbërje. Pa dyshim që do të ketë edhe befasi dhe ndryshime në kabinetin qeveritar”, tha ai.

(r.m.)

Comment

*