Prishtinë, 5 maj 2025 – Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), njëherësh kryeministër në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i ka shkruar letër kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), më 5 maj, përmes së cilës i ka kërkuar që këto dy parti të arrijnë një marrëveshje politike për koalicion qeverisës.
“Si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës, jam i interesuar dhe i vullnetshëm për marrëveshje politike me LDK-në”, i ka shkruar Kurti Abdixjikut.
“Ne sigurisht që kemi dallime në bindje politike e në politikat qeverisëse, por koalicionet bëhen pikërisht ndërmjet atyre që kanë dallime, duke vendosur të drejtat dhe nevojat e shtetit dhe të qytetarëve si prioritet”, ka theksuar ai.
Kurti ka shprehur bindjen se votuesit e LDK-së dhe PDK-së e preferojnë më së shumti një koalicion midis këtyre dy partive.
“Jam i bindur që edhe votuesit e LDK-së e sot preferojnë më së shumti koalicionin me LVV. Edhe votuesit e LVV e preferojnë po ashtu më së shumti koalicionin me LDK. Pse të mos e bëjmë?”, ka theksuar ai.
Kurti e ka marrë shkas për t’i shkruar Abdixhikut nga një deklaratë e deputetit të LDK-së, Arben Gashi, i cili ka thënë se bllokimi i Kuvendit është pasojë e mosbashkëpunimit mes LVV-së dhe partive të renditura pas saj në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Letra e Kurtit u publikua pas ndërprerjes së seancës konstitutive të Kuvendit të Kosovës, e cila nuk tregoi shenja vullneti për tekalimin e ngërçit në të cilin është futur procersi i konstituimit të Kuvendit.
Kurti e ka ftuar dy herë Abdixhikun në takime, për konsultime lidhur me procesin e formimin e institucioneve të reja, por Abdixhiku ka refuzuar të shkojë vetë dhe të dërgojë ndonjë përfaqësues tjetër në këto konsultime.
Letra e plotë:
I nderuar kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, z, Lumir Abdixhiku,
Po ju drejtohem me këtë letër me që nuk u takuam ende. Deputetë të LDK-së së fundmi kanë deklaruar publikisht se për të ecur përpara në legjislaturën e nëntë, fillimisht me konstuituimin e Kuvendit, nevojitet marrëveshje politike.
Si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës, jam i interesuar dhe i vullnetshëm për marrëveshje politike me LDK-në.
Ne sigurisht që kemi dallime në bindje politike e në politikat qeverisëse, por koalicionet bëhen pikërisht ndërmjet atyre që kanë dallime, duke vendosur të drejtat dhe nevojat e shtetit dhe të qytetarëve si prioritet.
LDK njihet si parti e cila nuk ka hezituar për koalocione qeverisëse: në 2001-2004 me PDK dhe AAK, në 2004-2007 me AAK, në 2008-2010 me PDK, në 2014-2017 sërish me PDK, ndërkaq në 2020 me LVV.
Mospajtimet e diferencat që mund të ketë LDK me LVV sot nuk janë më të mëdha sesa që LDK i kishte para koalicioneve të mëhershme kur i bëri ato. Plus në vitin 2020 ne bashkë kemi qenë kolegë në Kurti 1, kur unë nuk kam pasur probleme me juve, por me disa te tjerë që nuk kanë më pozita të larta e as ndikim të madh në LDK si asokohe.
Jam i bindur që edhe votuesit e LDK-së e sot preferojnë më së shumti koalicionin me LVV. Edhe votuesit e LVV e preferojnë po ashtu më së shumti koalicionin me LDK. Pse të mos e bëjmë? LVV nuk është e interesuar për koalicion me PDK. Ne edhe mund të shkojmë në zgjedhje të reja ku pak çka mund të ndryshojë për LDK-në dhe mandej sërish do të na duhet të ulemi bashkë për koalicionin LVV-LDK! Pse ta bëjmë atëherë më vonë, kur mund ta bëjmë tash? Pse edhe një palë zgjedhje për koalicionin e njëjtë?
Natyrisht që më së miri do të ishte të takohemi e t’i flasim dhe diskutojmë këto si politikan të pjekur që e kanë ardhmërinë e shtetit e përparimin shoqëror prioritet mbi çdo gjë.
Sinqerisht,
Albin Kurti
Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje
Kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës
(r.m.)