Prishtinë, 24 shkurt 2026 – Kryeminstri i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se situata rreth zgjedhjes së presidentit të ri të shtetit “nuk është e lehtë”, por theksoi se do të përpiqen me dy partitë e tjera të mëdha shqiptare që të shmangin zgjedhjet e reja.
Presidentes aktuale të Kosovës, Vjosa Osmani, i skadon mandati më 4 prill dhe afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm është 4 marsi. Nëse deputetët nuk arrijnë të zgjedhin kreun e ri të shtetit deri atë ditë, duhet të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.
“Do të përpiqemi maksimalisht që t’i evitojmë zgjedhjet për shkak të moszgjedhjes së presidentit”, tha Kurti të hënën.
Kurti, i cili u takua me kryetarët e PDK-së dhe LDK-së për konsultime lidhur me zgjedhjen e presidentit a presidentes, tha se as partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, dhe as PDK-ja e LDK-ja nuk kanë kandidat për presidentin. Ai tha se partitë duhet të gjejnë kandidat që do ta ketë mbështetjen e shumicës së thjeshtë, në një votim me pjesëmarrjen e së paku 80 deputetëve.
“Pra, ne si parti nuk kemi pasur kandidat nga radhët tona, andaj në vijim ose duhet ta gjejmë një emër të përveçëm që na garanton të jenë së paku dy të tretat e deputetëve që qëndrojnë në sallë dhe votojnë duke zgjedhur një emër të përveçëm në fletëvotim që e hedhin në kuti, më së largu më 4 mars. Ose është tjera që subjektet politike merren vesh për rrugën përpara”, tha ai.
Kurti theksoi se marrëveshja mes partive politike është e domosdoshme për shmangien e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Ai tha se Lëvizja Vetëvendosje dhe partnerët e koalicionit qeverisës mund të sigurojnë praninë e 66 deputetëve në procesin e votimit për presidentin, ndërsa në këtë process duhet të marrin pjesë së paku 80 deputetë.
“Ne në rastin më të mirë mund të mbërrijmë te numri 66 që është aq larg numrit 80. Prandaj, kot ne mund të nxjerrim kandidat, ndërkohë që dy subjektetet tjera thanë se nuk i kanë as 30 për nënshkrime sepse 30 është minimumi për propozimin”, tha ai.
Kurti konfirmoi se të dielën në mbrëmje ishte takuar në Prekaz me Rifat Jasharin. Kjo i shtyri analistët të dyshojnë se Kurti mund ta propozojë për president ndonjërin prej anëtarëve të familjes Jashari. Por, Kurti mohoi që në familjen emblematike të Kosovës të jetë biseduar për kandidat, duke theksuar nevojën për konsensus mes Lëvizjes Vetëvendosje, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Zgjidhja është mes tri subjekteve politike”, theksoi ai.
Kurti tha se është optimist se partitë politike do të arrijnë marrëveshje për çështjen e presidentit dhe do të shmangin zgjedhjet e jashtëzakonshme.
“Nuk shoh zell për zgjedhje të reja dhe kjo është gjithashtu një e përbashkët që kemi. Këto elemente më bëjnë optimist”, tha ai.
Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, ka konfirmuar se dëshiron të garojë edhe për një mandat tjetër, por për të hyrë në garë duhet të ketë mbështetjen e së paku 30 deputetëve. Tash për tash, nuk dihet se prej cilave parti pret mbështetje. Asnjë parti opozitare nuk mund të sigurojë e vetme nënshkrimet e 30 deputetëve. Këtë mund ta bëjë e vetme vetëm Lëvizja Vetëvendosje, por kryetari i saj Albin Kurti nuk ka dhënë asnjë sinjal se do ta mbështesë apo nuk do ta mbështesë Osmanin për një mandat të dytë.
(r.m.)