Kurti kërkon mbështetjen e Kuvajtit që Kosova të marrë statusin e vëzhguesit në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik

Nju Jork, 22 shtator 2026 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar në Nju Jork me Princin e Kurorës së Shtetit të Kuvajtit, Sheikh Sabah Khaled Al Hamad Al-Sabah.

Gjatë takimit, i cili është mbajtur në margjina të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Kurti ka thënë se është koha që dy vendet ta kthejnë miqësinë e tyre  në partneritet për zhvillim.

“Miqësia mes Kosovës dhe Kuvajtit nuk lindi në kohë të qeta. Në vitin 1999, kur populli ynë po dëbohej dhunshëm nga shtëpitë e veta, një nismë televizive në Kuvajt mblodhi shtatë milionë dollarë për një ditë të vetme për Kosovën. Vetë Emiri i ndjerë dhuroi një milion dollarë. Kuvajti e di nga përvoja e vet ç’do të thotë të përjetosh agresionin e okupimin, ta humbasësh lirinë dhe ta rifitosh me ndihmën e aleatëve. Mbase për këtë e kuptoi Kosovën shpejt dhe mirë. Ne nuk e harrojmë këtë solidaritet”, citohet Kurti në komunikatën e Kryeministrisë.

Kurti ka kërkuar mbështetjen e Kuvajtit që Kosova të pranohet si vëzhguese në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik.

Në njoftim thuhet se princi i Kuvajtit e ka falënderuar shtetin e Kosovës për përkrahjen në luftimin e ekstremizmit në rajonin e Gjirit.

Të dy palët janë pajtuar që së shpejti të përmbyllen marrëveshjet për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe për mbrojtjen e investimeve.

(r.m.)

Comment

*