Kurti kërkon që Bondsteeli të bëhet bazë e përhershme e ushtrisë amerikane në Kosovë

Prishtinë, 11 gusht 2026 – Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përsëritur kërkesën që Kampi Bondsteel të shndërrohet në prezencë të përhershme të ushtrisë amerikane në Kosovë.

Të martën, gjatë një takimi me senatoren amerikane Joni Ernst, në Prishtinë, ai ka thënë se prezenca e përhershme ushtarake amerikane në Kosovë “do të shërbente si garantuese për paqe dhe siguri në Kosovë dhe në rajon” dhe se ajo do të ishte edhe “një bazë strategjike për operacionet e NATO-s në Evropën Juglindore”.

Zyra e Kryeministrit të Kosovës bëri të ditur se Kurti e ka falënderuar senatoren Ernst për mbështetjen dhe kontributin e saj të vazhdueshëm në thellimin e partneritetit mes Kosovës dhe SHBA-së.

Në njoftim thuhet se Kurti e ka informuar senatoren amerikane edhe për “progresin e dukshëm të Kosovës në rritjen ekonomike dhe përmirësimin e situatës së brendshme të sigurisë”.

Kurti dhe Ernst kanë diskutuar gjithashtu për situatën politike në Kosovë dhe rëndësinë e vazhdimit të diskutimeve mes partive politike parlamentare për arritjen e një marrëveshjeje për formimin e institucioneve.

Senatorja Ernst u takua në Prishtinë edhe me ushtruesen e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiun, dhe me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Ozkan Ulutash.

Haxhiu e dekoroi senatoren Ernst me Medaljen Presidenciale të Meritave “për kontributin e çmuar në fuqizimin e partneritetit Kosovë–SHBA dhe në mbështetjen e zhvillimit të kapaciteteve mbrojtëse të Republikës së Kosovës”.

Senatorja Ernst, e cila është anëtare e Komitetit për Shërbimet e Armatosura të Senatit amerikan, konsiderohet si një nga avokueset më të zëshme të Kosovës në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.

Ajo ka shprehur mbështetje për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri dhe për aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO.

(r.m.)