Kurti konfirmon se Kosova ka blerë rezidencë të re për Ambasada e saj në Londër

Prishtinë, 11 prill 2023 – Ambasada e Kosovës në Londër do të vendoset së shpejti në një rezidencë që dikur ishte pronë e komedianit të ndjerë britanik Spike Milligan.

Kryeministri Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në Twitter, ka konfirmuar se Kosova ka blerë rezidencë të re për Ambsadën e saj në Londër. Ai ka shprehur kënaqësinë për historinë kulturore të rezidencës dhe të lagjes ku gjendet ajo dhe ka theksuar se kjo rezidencë do të jetë në shërbim të synimit për forcimin e lidhjeve të Kosovës me Mbretërinë e Bashkuar.

“I emocionuar që mund të ndaj me ju lajmin se ambasada e Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar e ka një adresë të re dhe së shpejti do të zhvendoset në Hyde Park, në një shtëpi që i përkiste komedianit të ndjerë Spike Milligan. Jemi të nderuar për historinë kulturore që ka ky lokacion dhe synojmë që prej aty të forcojmë më tej lidhjet tona me Mbretërinë e Bashkuar, ka shkruar Kurti.

Rezidenca e re e Ambasadës së Kosovës në Londër, e cila është ndërtuar në vitet 1890, i ka 5.697 metra katrorë. Ajo gjendet në hyrje të Hyde Park, jo larg Pallatit Buckingham.

As kryeministri, as Ministria e Punëve të Jashtme dhe as ambasada e Kosovës nuk e kanë publikuar çmimin e blerjes së rezidencës. Sipas gazetës “The Telegraph”, e cila e ka publikuar e para lajmin për blerjen e kësaj residence, ajo vlerësohet 6.5 milionë funte.

(r.m.)