Kurti: Kosova e ka vendin në Këshillin e Evropës, i ka plotësuar standardet demokratike

Prishtinë, 21 korrik 2023 – Kryeministri Albin Kurti tha se Kosova i ka plotësuar kërkesat ligjore dhe standardet demokratike për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës.

““Republika e Kosovës e ndërtuar mbi vlerat e Këshillit të Evropës dhe me Kushtetutë e cila përfshinë instrumentet më të rëndësishme për mbrojtjen e të drejtave të njeriut si dhe të drejtave të komuniteteve pakicë natyrshëm e vendin në këtë organizatë”, tha Kurti në mbledhjen e parë të Grupit Koordinues për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Qeverisja e mirë e progresit demokratik e vlerësuar nga raporte të shumta ndërkombëtare, sidomos në sundimin e ligjit, i ka hap rrugë procesit të anëtarësimit tonë në këtë organizatë. Pra, Republika e Kosovës ka plotësuar edhe kërkesat ligjore edhe standardet demokratike, për tu bërë anëtare e Këshillit të Evropës”, shtoi ai.

Kurti tha se pranimi në këtë organizatë mundëson mbrojtje më të madhe të të drejtave të njeriut në Kosovë.

“Anëtarësimi në Këshillin e Evropës mundëson qasjen në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe mekanizmat tjetër mbrojtës të Këshillit të Evropës. Kjo forcon edhe më shumë mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve tonë pa dallim etnie”, theksoi ai.

Sipas tij, tani kur procesi i anëtarësimit ka kaluar në Asamblenë Parlamentare fillon etapa substanciale që shoqërohet me vizita fakte-mbledhëse për çka kërkoi koordinim të mirë të grupit punues.

“Tani që procesi ka kaluar te Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, e cila do të japë mendimin e saj mbi aplikimin e Kosovës, lirisht mund të themi se fillon etapa substanciale e procesit, e cila do të shoqërohet me vizita fakt-mbledhëse të raportuesve dhe me përgatitje të raporteve. Në këtë kontekst, Grupi Koordinues do të ketë një rol tejet të rëndësishëm në rritjen e bashkëpunimit dhe koordinimit të brendshëm, si dhe në ofrimin një pasqyre sa më të saktë dhe koherente të situatës në Kosovë lidhur me të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe demokracinë”, tha Kurti.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, tha se Kosova duhet të ishte pranuar në Këshillin e Evropës shumë vite më parë.

“Si vendi më demokratik në rajon, si një vend i cili është shembull në përfaqësimin e vlerave të cilat janë baza mbi të cilën është krijuar Këshilli i Evropës, mendojmë që Kosova dje do të duhej të ishte anëtarësuar në Këshillin e Evropës, madje shumë vite më parë”, tha ajo.

Gëvalla tha se ecuria e mëtejshme e procesit të anëëtarësimit të Kosovës  në Këshillin e Evropës tani varet nga puna e grupit koordinues dhe kërkoi nga të gjitha institucionet e Kosovës që të bashkërendojnë veprimet në mënyrë që anëtarësimi e të ndodhë sa më shpejt.

“Nga bashkërendimi i veprimeve tjuaja do të varet dinamika e procesit për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, theksoi ajo.

“Çdo ditë që e humbasim për shkak të bashkërendimit jo të mirë është një ditë e humbur gjë që nuk duhet të ndodhë”, theksoi ajo.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj të vitit të kaluar.

(r.m.)