Prishtinë, 22 qershor 2025 – Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në një reagim lidhur me goditjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj impianteve bërthamore në Iran, ka thënë se Kosova e përkrah qëndrimin e SHBA-së dhe të Bashkimit Evropian rreth “programit të Iranit për t’u pajisur me armë nukleare”.
Në një postim në Facebook të dielën, Kurti ka thënë se siguria ndërkombëtare ka nevojë për më pak bomba bërthamore që vënë në rrezik gjithë njerëzimin.
Ai i ka cilësuar Shtetet e Bashkuara si “aleat kryesor, partner të pazëvendësueshëm dhe mike specialt” të Kosovës.
“Republika e Kosovës është e përcaktuar fuqishëm në mbrojtje të vlerave demokratike dhe euro-atlantike. ShBA-të janë superfuqia demokratike që duhen mbështetur”, ka theksuar Kurti.
Postimi i plotë:
Siguria ndërkombëtare ka nevojë për më pak armatim nuklear dhe jo më shumë bomba bërthamore që vënë në rrezik gjithë njerëzimin. Posaçërisht kur shtete autoritare zhvillojnë programe për pajisje me armatim nuklear, kjo çështje bëhet urgjente dhe alarmuese.
Republika e Kosovës përkrah qëndrimin e ShBA-ve dhe të Bashkimit Evropian rreth programit të Iranit për t’u pajisur me armë nukleare.
ShBA-të janë aleati ynë kryesor, partneri i pazëvendësueshëm dhe miku special. Republika e Kosovës është e përcaktuar fuqishëm në mbrojtje të vlerave demokratike dhe euro-atlantike. ShBA-të janë superfuqia demokratike që duhen mbështetur.
(r.m.)