Kurti: Kosovës duhet t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE

Prishtinë, 23 maj 2025 – Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e ka mirëpritur njoftimin se BE ka nisur heqjen graduale të masave ndëshkuese ndaj Kosovës dhe ka kërkuar që ato të hiqen plotësisht. Gjithashtu, ka kërkuar që Kosovës t’i jepet statusi i vendit candida për anëtarësim në BE.

Kurti i ka përcjellë këto kërkesa për BE-në nga një darkë pune me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas, të enjten në mbrëmje, në Prishtinë, ku është diskutuar “për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe BE-së, agjendën e reformave evropiane dhe Planin e Rritjes”.

“Kryeministri theksoi se vendi ynë, krahas linjëzimit të politikës së jashtme me atë të Bashkimit Evropian, ka bërë progres të konsiderueshëm në reforma të brendshme, dhe se kjo evidentohet dhe dëshmohet edhe në raportet e vendit të BE-së. Kryeministri e falënderoi znj. Kallas për njoftimin se BE ka nisur largimin gradual të masave kufizuese ndaj Kosovës dhe përpjekjet e saj në këtë drejtim, teksa shtoi se ato duhet të hiqen plotësisht dhe theksoi që Kosova duhet të marrë statusin kandidat si demokracia më e avancuar e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në njoftimin e kabinetit të Kurtit.

Në njoftim bëhet e ditur se Kurti ka përsëritur qëndrimin e tij lidhur me dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës e Serbisë që ndërmjetësohet nga BE-ja. Ai ka theksuar edhe një herë “rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj”.

Njëkohësisht, ka ritheksuar se Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për sulmin terrorist të grupit paramilitar serbë në Banjskë dhe ka përsëritur kërkesën që udhëheqësi i këtij grupi, Millan Radoiçiq, t’u dorëzohet autoriteteve të drejtësisë në Kosovë.

Kabineti i Kryeministrit bën të ditur se Kurti e ka ngritur edhe “çështjen e shkeljeve të vazhdueshme dhe të rënda të të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc nga shteti i Serbisë” dhe ka kërkuar që BE-ja të bëjë veprime konkrete për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve atje.

Në njoftim thuhet se Kurti dhe shefja e diplomacisë së BE-së kanë diskutuar edhe për procesin e konstituimit tëKuvendit të Kosovës dhe të formimit të qeverisë së re, por nuk jepen detaje nga diskutimi lidhur me këtë temë.

Gjatë ditës, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme e Siguri, Kaja Kallas, u takua në Prishtinë me liderë të partive parlamentare dhe me përfaqësues të shoqërisë civile.

Në një konferencë për medie, asjo u bëri thirrje liderëve politikë në Kosovë që të bashkëpunojnë për zgjidhjen e ngërçit politik dhe formimin e institucioneve të reja.

“Formimi i qeverisë së re është thelbësor për stabilitetin, për rritjen dhe për të ardhmen evropiane të Kosovës”, theksoi ajo.

Kallas tha se Kosova i takon familjes evropiane, por për anëtarësim në BE nevojiten reforma të qëndrueshme.

“Kosova i përket familjes evropiane, por s’ka rrugë të shkurtër për anëtarësim. Progresi mund të arrihet vetëm përmes reformave të qëndrueshme”, tha ajo.

Kaja Kallas erdhi në Prishtinë nga Beogradi, ku shprehu përkushtimin e saj për vazhdimin e dialogut midis Kosovës e Serbisë. Ajo paralajmëroi atje se përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë do t’i ftojë së shpejti në Bruksel, për të biseduar për “hapat konkretë përpara”.

23.5.2025-ZKM-1

23.5.2025-ZKM-2

 

23.5.2025-ZKM-6

23.5.2025-ZKM-4

23.5.2025-ZKM-5

(r.m.)

 

Comment

*