Kurti: Lajçak nuk është ndërmjetës i paanshëm, u pozicionua qartë kundër Kosovës

Prishtinë, 18 shtator 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi ndërmjetësin evropian të dialogut midis Kosovës e Serbisë, Mirosllav Lajçak, se në takimin e 14 shtatorit në Bruksel, është pozicionuar qartë kundër Kosovës.

“Më 14 shtator pati një pozicionim të qartë të ndërmjetësit kundër Kosovës në përgjithësi dhe kundër marrëveshjes (drejt normalizimit të raporteve) në veçanti”, tha Kurti të hënën, në një konferencë për media në Prishtinë, ku njoftoi për përmbajtjen e takit të fundit të zhvilluar në kuadër të dialogut, në Bruksel.

Kurti tha se në takimin e 14 shtatorit ka shkuar me propozim konkret të planit të sekuencimit të zbatimit të Marrëveshjes Bazike drejt normalizimit të raporteve. Ai tha se ky propozim bazohej në parimin e gjithëpërfshirjes, që nënkupton përfshirjen e çdo neni të marrëveshjes në planin e sekuencimit, ndërsa Borrelli e Lajçaku, në takimin dypalësh, i kanë kërkuar të diskutojnë vetëm për forrmimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, që që ai e ka kundërshtuar kategorikisht.

“Në aneks përcaktohet në tri klauzola specifike që çdo nen i marrëveshjes bazike duhet zbatuar dhe gjithashtu që palët nuk duhet të shprehin obstruksione në ndonjë nen. Në takimin e parë bilateral, me Borrellin dhe Lajçakun, më është kërkuar që të kalojmë menjëherë në një proces negocimi të statutit të përcaktuar me nenin 7 të marrëveshjes bazike në lidhje me nenin 10. Ua bëra të qartë se një hap të tillë nuk mund ta ndërmerrnim pa u dakorduar në mënyrë të plotë për planin e zbatimit të sekuencuar. Aq më shumë për shkak se Vuçiqi ka një kohë që deklaron se nuk ka pranuar një marrëveshje me Kosovën dhe do ta zbatojë atë vetëm në përputhje me ‘linjat e kuqe’ të Serbisë”, shpjegoi Kurti.

Ai tha se Borrell e Lajçak kanë thënë qartësisht se më së pari duhet të zbatoheshin nenet për Asociacionin dhe të hiqeshin nenet për njohjen  ndërsjellë.

“Qëndrimi i zotërinjve Borrell dhe Lajçak ishte që sekuencimi i zbatimit të marrëveshjes duhet të bëhej në një mënyrë të tillë që të ishte e pranueshme edhe për Serbinë që e donte Asociacionin si prioritet dhe heqjen e neneve të njohjes së ndërsjellë”, theksoi a.

Kurti tha se në takimin trepalësh është përballur me një skenar që Lajçaku e kishte dizajnuar kohë më parë. Ai tha se Aleksandar Vuçiq e Miroslkav Lajçak e kanë hedhur poshtë planin sekuencimit të hartuar në Prishtinë, duke e cilësuar si “shumë jorealist”.

“Unë në plan nuk kisha shpikur e as nuk kisha shtuar asgjë. Pasi u refuzova në sinkroni, nga Vuçiqi e Lajçaku, ua shtrova një pyetje bazike: ‘Pasi po e refuzoni propozimin tim, më thoni nëse Serbia ka bërë ndonjëherë ndonjë propozim të ndonjë plani të sekuencimit’. Lajçaku tha ‘po’, me bindje të plotë. Gjithashtu Serbia tha ‘po’. Unë ua kërkova ndonjë dokument, por nuk m’u dha. Pas shumë insistimesh m’u soll një dokument që m’u tha se është propozimi i Serbisë për planin e sekuencimit”, tha ai.

“Pasi përfunduan takimet dhe pas daljes sime në media, ndërmjetësi e lëshoi një dokument sekuencimi për të cilin tha se ’Vuçiqi e pranoi, por e Kurti e refuzoi’. Një informacion i tillë është i pavërtetë… Dokumenti i tillë i Lajcakut ishte refuzuar më 19 korrik nga zëvendës-kryeministri Bislimi. Në atë plan kërkohet të zbatohet ajo që kërkon Serbia”, shpjegoi Kurti.

Ai theksoi se Marrëvshja Bazike do të zbatohet si e plotë ose nuk do të zbatohet fare. Ai e  cilësoi si logjikë të vdekur zbatimin e vetëm asaj që do Serbia.

“Ose do ta zbatojmë marrëveshjen bazike në plotëni ose nuk do ta zbatojmë vetëm ato që i do Serbia. Kjo logjikë ka vdekur dhe nuk do të ecë tutje”, u shpreh ai.

Kryeministri Kurti tha se më 15 shtator u ka shpjeguar Parisit, Berlinit, Romës dhe Uashingtonit se procesi i dialogut është deformuar.

“Ky deformim i procesit të zbatimit është i shoqëruar edhe me një padrejtësi që, për bindjen time, është fondamentale. Sa herë ka shkelje të marrëveshjes do të duhej që arbitri t’i binte pipit. Cili është kuptimi që ne të merremi vesh për një tekst e pastaj ajo  marrëveshje të shkilet dhe arbitri të mos reagojë”, tha ai.

Duke u përgjigjur në pyetjen se a do të kërkojë zëvendësimin e Lajçakut në procesin e dialogut, Kurti tha se Lajçaku duhet t’u japë llogari Komisionit Evropian, Këshillit Evropian dhe Parlamentit Evropian.

“Unë besoj që ajo çfarë kemi thënë këto ditët e fundit e në veçanti sot është më se e mjaftueshme që të ketë llogaridhënie  atje”, u shpreh Kurti.

Kryeministri Kurti tha se Bashkimi Evropian duhet t’i heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, pasi situata në veri tashti është shumë më e qetë.  Ai tha se prej dy mujash atje nuk ka pasur as incidente e as protesta të dhunshme, por pranoi ekzistimin ee rrezikuut të rieskalimit të situatës, për çka ia drejtoi gishtin Beogradit.

“Deeskalimi në masë të konsiderueshme ka ndodhur. Ka 2 muaj që s’ka incidente e as protesta të dhunshme. Adresa për rieskalim s’është në Prishtinë, por në Beograd e në hotelin “Kopaonik’… Deeskalimi do të duhej të ishte i mjaftueshëm për të rimenduar heqjen e masave”, tha ai.

(r.m.)