Kurti: Ligjshmëria dhe kushtetutshmëria e Kosovës nuk mund të komprometohen

Prishtinë, 7 nëntor 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të dielën se është në kontakt të vazhdueshëm me organet e sigurisë ndërkombëtare për të garantuar stabilitetin në Kosovë.

Ai i ka bërë këto deklarata, pas pyetjeve lidhur me situatën e sigurisë në Kosovë.

“Situata e sigurisë në Republikën e Kosovës rrezikohet nga individë e grupe të ndryshme të kriminalizuara, dhe në këtë një vit e tetë muaj, sa jemi në qeverisje, kemi bërë avancimin më të madh në luftimin e krimit dhe korrupsionit, sidomos në aspektin ekonomik”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se ligjshmëria dhe kushtetutshmëria e Kosovës nuk mund të komprometohen.

“Ato shkojnë bashkë me paqen dhe sigurinë. Nuk do të ketë, dhe nuk mund të ketë asnjë individ dhe asnjë grup më të fuqishëm sesa shteti. Ne nuk i dallojmë kriminelët në bazë të përkatësisë etnike, por vetëm në bazë të veprave të tyre penale”, ka thënë ai.

I pyetur për vendimin e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – për t’u larguar nga institucionet e Kosovës, Kurti ka përsëritur thirrjen e një dite më parë që serbët të mos veprojnë ashtu, sepse do të dobësojnë shërbimin për qytetarët.

Sipas tij, përmes vendimit të Listës Serbe, Beogradi zyrtar dëshiron të destabilizojë situatën në Kosovë, mirëpo Kurti ka thënë se Serbia “nuk do t’ia dalë në këtë mënyrë”.

“Ka mundësi që ata nuk dëshirojnë të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog dhe tash kanë zgjedhur këtë rrugën tjetër, por unë besoj se të dëgjueshëm ndaj tyre janë pakrahasimisht më shumë strukturat e ndryshme ilegale, sesa qytetarët të vendit tonë, të cilët janë serbë”, ka thënë Kurti.

Vendimi  Listës Serbe për largimn e serbëve nga institucionet e Kosovës erdhi pas suspendimit të drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e automjeteve të lëshuara nga Serbia me targa legale të Kosovës.

Listës Serbe, e cila dirigjohet nga Beogradi, ka thënë se bojkoti i institucioneve të Kosovës do të zgjasë derisa të mos tërhiqet vendimi për targat e automjeteve të lëshuara nga Serbia.

SHBA i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës të pezullojë vendimin për targat

“Ne përsëri i bashkohemi BE-së në thirrjet për t’u kërkuar autoriteteve të Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre pa vonesë. Kjo nënkupton zgjatjen e menjëhershme të procesit të ri-regjistrimit të makinave dhe pezullimin e çdo veprimi ndëshkues ndaj mbajtësve të targave KM derisa të zgjidhet çështja e targave nga palët në kuadër të dialogut”, ka thënë të dielën një zëdhënës i ambasadës amerikanë në Prishtinë.

(r.m.)