Prishtinë, 1 shtator 2026 – Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, tha se Grupi Parlamentar i kësaj partie qëndron pas marrëveshjes me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe propozimit që Bekim Sejdiu të jetë kandidat i përbashkët për President të Kosovës. Ai tha se është “shumë i lumtur” që kjo marrëveshje mori mbështetjen e plotë të deputetëve të partisë së tij.
“Të gjithë e mirëpritën marrëveshjen që kemi arritur me LDK-në, me emrin e përbashkët të kandidatit konsensual, profesor Bekim Sejdiu. Unë isha shumë i lumtur që mbështetja ishte e plotë nga të gjithë deputetët e grupit tonë parlamentar”, deklaroi Kurti, pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të LVV-së.
Kurti tha se në këtë mbledhje është diskutuar edhe për zhvillimet e fundit në LDK, të cilat krijojnë një situatë të re, prandaj e vlerëson të nevojshme të takohet përsëri me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun dhe të diskutojë për këtë situatë me kryesinë e partisë së tij.
“Kjo është një situatë e re që kërkon, në njërën anë, që të takohem sërish me kryetarin e LDK-së dhe, në anën tjetër, që të kthehem në Kryesinë e LVV-së për të diskutuar rrethanën e re politike dhe rrugën që duhet të ndjekim”, tha ai.
Kurti i kritikoi gjashtë deputetët e LDK-së që kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin Sejdiun për President. Ai tha se deputetët e LVV-së e vlerësuan qëndrimin e 6 deputetëve të LDK-së si akt që shpie përsëri në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“E konsiderojmë të dëmshme, të papërgjegjshme dhe absurde një sjellje të tillë të këtyre gjashtë deputetëve. Pas tri palë zgjedhjesh duket që ka deputetë që kanë dëshirë, vullnet dhe interes të shkojmë në zgjedhjet e katërta për më pak se dy vjet”, u shpreh ai.
Kurti tha se zgjedhjet e katërta me radhë brenda një kohë të shurtër e dëmtojnë stabilitetin institucional në Kosovë.
“Qytetarët e Kosovës e kanë dhënë mesazhin e tyre në tri palë zgjedhjet e fundit dhe nuk do të duhej që vendi të shkonte sërish në zgjedhje pa një arsye dhe nevojë të qartë. Qytetarët kanë folur qartë në tri zgjedhjet e fundit. Nuk do të duhej që pa arsye dhe pa nevojë të shkojmë përsëri në zgjedhje, të cilat janë të dëmshme për stabilitetin institucional”, tha ai.
Kurti tha se kundërshtimi i kandidaturës së Sejdiut nuk ka të bëjë me Sejdiun, por ka të bëjë me të.
“Duket qartë se nuk e kanë kundër Bekim Sejdiun, sa e kanë kundër qeverisë që unë e udhëheq”, u shpreh ai.
Kurti theksoi se LVV vazhdon ta mbështesë kandidaturën e Bekim Sejdiut për President, dhe se ai nuk do të ndërmarrë asnjë hap para se të takohet edhe një herë me Abdixhikun e pastaj edhe me kryesinë e LVV-së.
“Për Lëvizjen Vetëvendosje kandidati për president është Bekim Sejdiu. Po e përsëris që duhet të takohem me kryetarin e LDK-së, por edhe me Kryesinë e Lëvizjes Vetëvendosje, pasi situata ka ndryshuar. Nuk mund të ndërmarr asnjë hap pa u takuar me kryetarin Abdixhiku dhe Kryesinë e LVV-së. Besoj në vullnetin e sinqertë të Abdixhikut dhe në interesin e përgjithshëm të qytetarëve që të mos të shkojmë në zgjedhjet e përsëritura. Pra zgjedhjet e katërta me radhë për më pak se dy vjet po na kërcënojnë për shkak të papërgjegjësive së disave”, u shpreh Kurti.
Kurti nuk e përjashtoi plotësisht mundësinë e takimit me kreun e Aleancës në përpjekje për të siguruar votat e deputetëve të kësaj partie për zgjedhjen e Presidentit, por e cilësoi të pakuptimë kushtëzimin e takimit me përmbushjen e gjashtë kushteve të shtruara nga kjo parti.
Duke komentuar thirrjet e grupeve parlamentare të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe të Aleancës për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit, Kurti ka thënë se duket që këto dy parti duan përsëri zgjedhje, por duan edhe të provokojnë incidente në Kuvend,
“Ata që po nxitohen për konstituimin e Kuvendit ndërsa nuk e mbështetshin zgjedhjen e presidentit po duan përsëri zgjedhje që janë thellësisht të panevojshme, në njërën anë, por edhe përsëritje të incidenteve, në anën tjetër mbase duan”, tha ai.
Kurti theksoi se tani të gjithë qytetarët e Kosovës e kanë kuptuar se kush është përgjegjës për bllokimin e procesit të formimit të institucioneve dhe për dërgimin e vendit në zgjedhje të tjera të parakohshme.
“Besoj se nuk ka qytetar të Kosovës që nuk e ka kuptuar në këtë mbrëmje që ka disa njerëz që me aq lehtësi i thonë jo një marrëveshjeje të arritur me aq shumë mund dhe nuk e qajnë kokën që kjo shpie në zgjedhje të reja. Pavarësisht kësaj moskokëqarje, ne jemi shumë të përgjegjshëm dhe insistojmë në validitetin e marrëveshjes politike për kandidaturën e profesor Bekim Sejdiut për president”, theksoi Kurti.
(r.m.)