Kurti: Marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së i tejkalojnë qeveritë

Prishtinë, 19 shtator 2025 – Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka folur të premten për pezullimin e fillimit të dialogut strategjik me Kosovën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kurti, në mbledhjen e qe verisë në detyrë, theksoi se qeveria nuk është “prishur” me Amerikën, por pohoi se midis tyre ekzsitojnë “disa dallime”.

“Sa i përket njoftimit nga Ambasada Amerikane në Prishtinë javën e kaluar së pari duam të qartësojmë për qytetarët tanë se bëhet fjalë për pezullimin e planifikimit për dialog strategjik, jo të dialogut strategjik si proces të nisur, e as të komunikimit të rregullt që ne e kemi. Nuk jemi prishur me Amerikën, por kemi disa dallime”, tha ai, citon Telegrafi.

“Në shtyllën e diplomacisë kemi disa dallime. Dhe ato shumë shpesh kanë të bëjnë me qëndrimet tona në raport me Serbinë dhe veprimet ndaj strukturat ilegale të saj në Kosovë. Derisa pajtohemi për vlera, interesa e qëllime, nganjëherë jo edhe për çështje operacionale e taktike”, tha Kurti.

Ai tha se opozitarët po e “stërzmadhojnë çdo ndodhi në raportet e qeverisë së Kosovës me qeverinë e Shteteve të Bashkuara, por ai nuk dëshiron t’i minimizojë zhvillimet e fundit dhe I trajton me seriozitet qëndrimet e zyrtarëve dhe diplomatëve amerikanë.

“I siguroj qytetarët tanë se qeveria jonë i trajton seriozisht deklaratat dhe qëndrimet e Ambasadës amerikane”, tha ai.

Kurti tha gjatë mandatit të tij si kryeministër është angazhuar që raportet me SHBA-të të forcohen në tri shtylla: diplomatike, mbrojtje dhe në zhvillim. Ai tha se dallimet mes qeverisë së Kosovës dhe Administratës së Presidentit Donald Trump kanë të bëjne me çështje “operacionale e taktike”.

“Në shtyllën e diplomacisë kemi disa dallime. Dhe ato shumë shpesh kanë të bëjnë me qëndrimet tona në raport me Serbinë dhe veprimet ndaj strukturat ilegale të saj në Kosovë. Derisa pajtohemi për vlera, interesa e qëllime, nganjëherë jo edhe për çështje operacionale e taktike”, tha Kurti.

Sipas tij, përkundër dallimeve në këtë fushën e diplomacisë, Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bashkëpunim substancial në fushën e mbrojtjes.

“Bashkëpunimi ushtarak po vijon, me ç’rast blerja e pajisjeve dhe municioneve me administratën aktuale po shkon edhe më mirë”, tha ai.

Ndërkaq, në fushën e bashkëpunimit ekonomik ai përmendi heqjen e tarifës prej 10 për qind për produktet amerikane dhe vazhdimin e programit të MCC për Kosovën nga administrata amerikane.

Kurti, në përmbyllje të komenteve të tij për pezullimin e fillimit të dialogut strategjik me Kosovën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, theksoi se marrëdhëniet midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës i tejkalojnë qeveritë dhe dallimet midis tyre.

“Raportet dhe lidhjes ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së dhe popujve tanë janë të thella dhe i tejkalojnë qeveritë. Ato janë ndërtuar mbi një histori të gjatë dhe me themele të forta, të bazuara në vlera të përbashkëta dhe arritje të rëndësishme. Ne jemi të bindur se komunikimi i vazhdueshëm, i cili është i rregullt do të bëjë të mundur që të vazhdojmë të ecim përpara së bashku”, tha ai

(r.m.)