Kurti: Marrëveshja duhet të zbatohet e plotë, pa vonesa e pa kushtëzime

Delphi (Greqi), 28 prill 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua të premten me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në margjina të Forumit Ekonomik në Delphi, në Greqi.

Zyra e Kryeministrit të Kosovës njoftoi se në këtë takim është diskutuar për takimin e kryeministrit Kurti me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që do të mbahet më 2 maj në Bruksel.

Kryeministri Kurti ka theksuar se Marrëveshja me të cilën janë pajtuar dy palët duhet të zbatohet në mënyrë të plotë dhe pa kushtëzime, siç janë pajtuar edhe me Aneksin për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

“Kryeministri Kurti theksoi se Marrëveshja Bazike duhet të zbatohet e plotë, pa vonesa dhe pa kushtëzime”, citohet Kurti.

Në njoftim thuhet se Kurti e Lajçak kanë diskutuar edhe për zgjedhjet lokale në katër komunat veriore të Kosovës dhe për rëndësinë e funksionimit normal të institucioneve shtetërore në shërbim të qytetarëve.

Lajçak nga ana e tij ka vënë theksin në takimin e ardhshëm të Kurtit e Vuçiqit. Ai ka thënë se është e rëndësishme që të shmangen çfarëdo veprimesh që mund të përkeqësojnë atmosferën për dialog.

“Në takimin me kryeministrin Kurti në Forumin e Delphit e theksova rëndësinë e takimit të dialogut më 2 maj. Do të jetë hap i rëndësishëm përpara dhe është e rëndësishme të shmanget çdo veprim që mund ta përkeqësojë atmosferën”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 27 shkurt në Bruksel, u pajtuan për Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, kurse më 18 mars në Ohër u pajtuan për Aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

(r.m.)