Prishtinë, 22 dhjetor 2023 – Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë se Marrëveshja Bazike për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë do të mund të nënshkruhej në muajin mars.
“Marrëveshja Bazike (me Aneksin e Zbatimit) për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të mund të nënshkruhej në Samitin e Këshillit Evropian që mbahet në datat 21 e 22 mars 2024”, ka thënë ai, në një status në Facebook.
Kurti ka paralajmëruar se vitin e ardhshëm ai mund ta shkruajë një draft modern evropian të statutit të Asociacionit të komunave më shumicë serbe. Ai e ka bërë këtë pas deklaratës së të dërguarit special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili ka thënë se hartimi i draft-statutit të Asociacionit është çështje e brendshme e Kosovës,
“Mua më thuhej se draft statutin e Asociacionit duhet ta pranojë edhe Serbia (andaj qysh në takimin e Ohrit kam ofruar që ta shkruaj atë mbi tri parime, ofertë kjo që u refuzua nga Vuçiq). Sipas deklarimit të fundit të emisarit evropian Miroslav Lajçak, me që draft-statuti na qenka veçse çështje e brendshme e Kosovës, në vitin e ardhshëm, unë mund ta shkruaj një draft modern evropian, në konsultim me ministrat e mi Nenad Rashiq (Komunitete dhe Kthim) dhe Elbert Krasniqi (Administrimi i Pushtetit Lokal)”, ka shkruar ai.
Kryeministri i Kosovës ka thënë se ai ka kërkuar nga BE-ja dhe SHBA-ja që t’i vendosen sanksione Serbisë dhe Presidentit të saj, Aleksandar Vuçiq.
“Shpresoj që Bashkimi Evropian dhe SHBA-të do t’i vendosin sanksione Serbisë, e posaçërisht Presidentit të saj Aleksandar Vuçiq, për sjelljet dhe veprimet armiqësore e agresore ndaj Kosovës, për eskalimin në veri të vendit tonë dhe për heqje dorë nga Marrëveshja Bazike (nëpërmjet letrës së Kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, të 14 dhjetorit)”, ka shkruar Kurti.
Në të njëjtën kohë ka kërkuar që Kosovës t’e hiqen masat ndëshkuese dhe t’i jepet statusi i i vendit kandidat për BE dhe Partneriteti për Paqe me NATO.
“Kërkesa ime është që Kosovës t’i hiqen masat ndëshkuese të BE-së dhe SHBA-ve, dhe vendit tonë t’i jepet statusi i vendit kandidat për BE e Partneriteti për Paqe me NATO. Pikërisht kështu partnerët tanë perëndimorë do t’i kërkonin fuqishëm Serbisë të zbatonte obligimin e njohjes de facto të Kosovës”, ka shkruar Kurti.
Ai ka thënë se beson që Brukseli dhe emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak do të merren shumë më shmë me Presidentin e Serbisë, në vend se të bëjnë presion ndaj Kosovës “me opsione që e shndërrojnë Kosovën demokratike e pro-evropiane në temë problematike”.
“Besoj që Brukseli dhe emisari evropian Lajçak do të merren shumë më shumë me Presidentin e Serbisë Vuçiq që i vodhi zgjedhjet në Serbi, me ndihmën e Dodikut, Mandiqit e Radoiçiqit (sidomos në Beograd) dhe që u tërhoq nga Marrëveshja Bazike e 27 shkurtit 2023 (përmes letrës së Kryeministres Ana Bërnabiq), në vend se të na bëjnë presion publik me opsione që e shndërrojnë Kosovën demokratike e pro-evropiane në temë problematike”, ka shkruar Kurti.
Statusi i plotë i Kurtit:
Normalizimi i Marrëdhënieve drejt vitit 2024
1) Prioritet absolut për Qeverinë e Republikës së Kosovës është siguria për Kosovën, integriteti territorial i shtetit dhe jeta e mirëqenia e qytetarëve pa dallim.
2) Konkluzionet e hetimeve për sulmin terrorist e kriminal të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, kur u vra rreshteri Afrim Bunjaku, duhet të bëhen publike menjëherë. Millan Radojçiq dhe pjesëtarët e grupit të tij paramilitar duhet t’i dorëzohen autoriteteve të Kosovës.
3) Shpresoj që Bashkimi Evropian dhe SHBA-të do t’i vendosin sanksione Serbisë, e posaçërisht Presidentit të saj Aleksandar Vuçiq, për sjelljet dhe veprimet armiqësore e agresore ndaj Kosovës, për eskalimin në veri të vendit tonë dhe për heqje dorë nga Marrëveshja Bazike (nëpërmjet letrës së Kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, të 14 dhjetorit).
4) Kërkesa ime është që Kosovës t’i hiqen masat ndëshkuese të BE-së dhe ShBA-ve, dhe vendit tonë t’i jepet statusi i vendit kandidat për BE e Partneriteti për Paqe me NATO. Pikërisht kështu partnerët tanë perëndimorë do t’i kërkonin fuqishëm Serbisë të zbatonte obligimin e njohjes de facto të Kosovës.
5) Draft statutin e Asociacionit mua më thuhej se duhet ta pranojë edhe Serbia (andaj qysh në takimin e Ohrit kam ofruar që ta shkruaj atë mbi tri parime, ofertë kjo që u refuzua nga Vuçiq). Sipas deklarimit të fundit të emisarit evropian Mirosllav Lajçak, meqë draft statuti na qenka veçse çështje e brendshme e Kosovës, në vitin e ardhshëm, unë mund ta shkruaj një draft modern evropian në konsultim me ministrat e mi Nenad Rashiq (Komunitete dhe Kthim) dhe Elbert Krasniqi (Administrimi i Pushtetit Lokal).
6) Marrëveshja Bazike (me Aneksin e Zbatimit) për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të mund të nënshkruhej në Samitin e Këshillit Evropian që mbahet në datat 21 e 22 mars 2024.
7) Besoj që Brukseli dhe emisari evropian Lajçak do të merren shumë më tepër me Presidentin e Serbisë Vuçiq që i vodhi zgjedhjet në Serbi me ndihmën e Dodikut, Mandiqit e Radoiçiqit (sidomos në Beograd) dhe që u tërhoq nga Marrëveshja Bazike e 27 shkurtit 2023 (përmes letrës së Kryeministres Ana Bërnabiq), në vend se të na bëjnë presion publik me opsione që e shndërrojnë Kosovën demokratike e pro-evropiane në temë problematike.
(r.m.).