Prishtinë, 9 shkurt 2026 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili e ka cilësuar si “të pabazuar dhe të shkëputur nga realiteti historik i luftës në Kosovë” kërkesën e Prokurorisë së Specializuar të Kosovës në Hagë që ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të dënohen me nga 45 vjet burgim secili.
“UÇK-ja ishte bartëse e një lufte të drejtë, ruajtëse dhe mbrojtëse. Ajo u zhvillua në rrethanat e okupimit të egër, kur dhuna e apart’heidit po shndërrohej në gjenocid shtetëror”, ka shkruar Kurti në një deklaratë të publikuar në Facebook.
“Çdo përpjekje për t’i shkëputur veprimet individuale nga ky kontekst historik rrezikon të deformojë të vërtetën e asaj periudhe”, ka theksuar ai
Kurti ka theksuar gjithashtu se “thelbi moral dhe historik i luftës çlirimtare të UÇK-së qëndron në mbijetesën dhe dinjitetin e popullit të Kosovës”.
“Ne nuk kemi pasur kurrë plan shfarosjeje ndaj asnjë populli tjetër apo civilëve. Prokuroria po përpiqet ta vendosë këtë çështje në një vakum juridik, duke shkëputur veprimet nga realiteti i një lufte çlirimtare”, ka theksuar ai.
Kurti ka thënë se institucionet e Kosovës “mbeten të përkushtuara në mbrojtjen e së vërtetës historike dhe faktike për luftën, duke kundërshtuar çdo përpjekje për shtrembërimin e saj”.
“Republika e Kosovës do të vazhdojë të mbrojë vlerën dhe dinjitetin e luftës për liri dhe parimet themelore të drejtësisë”, ka theksuar ai në përmbyllje të deklaratës.
Deklarata e plotë:
Thelbi moral dhe historik i luftës sonë çlirimtare konsiston në mbijetesën dhe dinjitetin e popullit.
UÇK-ja ishte bartëse e një lufte të drejtë, ruajtëse dhe mbrojtëse. Ajo u zhvillua në rrethanat e okupimit të egër kur dhuna e apart’heidit po shndërrohej në gjenocid shtetëror.
Çdo përpjekje për t’i shkëputur veprimet individuale nga ky kontekst historik e politik rrezikon të deformojë të vërtetën dhe kuptimin e asaj lufte.
Ne nuk kemi pasur kurrë plan shfarosje të asnjë populli tjetër apo të civilëve. Kërkesa e sotme e Prokurorisë në Hagë për dënim prej 45 vitesh burgim për secilin nga drejtuesit e akuzuar të UÇK-së nuk mbështetet në ndonjë standard të pranuar ndërkombëtar të dënimit. Ajo injoron plotësisht kontekstin e luftës në Kosovë dhe përpiqet ta vendosë këtë çështje në një vakuum juridik, duke shkëputur veprimet nga realiteti i një lufte çlirimtare.
Republika e Kosovës mbetet e palëkundur në bindjen se UÇK-ja bëri luftë të drejtë dhe kryengritje anti-kolonialiste. Institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të mbrojnë të vërtetën faktike e historike, vlerën dhe dinjitetin e luftës për liri si dhe parimet themelore të drejtësisë, duke kundërshtuar çdo orvatje për shtrembërimin e tyre.
(r.m.)