Kurti: Me partnerët tanë do t’i vazhdojmë konsultimet për hapjen e Urës së Ibrit

Prishtinë, 14 gusht 2024 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Qeveria e tij do t’i vazhdojë konsultimet dhe koordinimet me partnerët e Kosovës në lidhje me rihapjen e Urës së Ibrit në Mitrovicë për qarkullimin e automjeteve.

Të mërkurën, në hapjen e mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Kurti theksoi se hapja e urës “nuk është kundër askujt, e aq më pak kundër partnerëve” të Kosovës.

“Me komandantin e KFOR-it mbrëmë kemi biseduar edhe për hapjen e Urës mbi Ibër, të cilën ne e konsiderojmë si një gjë të drejtë, të nevojshme dhe të dobishme për të gjithë. I kemi mirëpritur raportet preliminare të vlerësimit të qëndrueshmërisë së urës, rezultatet përkatëse që i kemi ndarë dje menjëherë edhe me komandantin e KFOR-it dhe ekipin e tij në frymën e konsultimeve dhe koordinimeve të vazhdueshme. Qeveria dhe unë besojmë se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit në njërën anë dhe paqja e siguria në anën tjetër janë të mundura bashkë dhe të duhura për vendin, shoqërinë dhe shtetin, qytetarët dhe komunitetet. Do të vazhdojmë diskutimet dhe koordinimin me partnerët tanë. Hapja e urës s’është kundër askujt, aq më pak partnerëve tanë. Kosova është shtet normal dhe urat e saj duhet të jenë normale, që do të thotë të hapura”, tha Kurti.

Vendet e QUINT-it (Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Britania e Madhe, Franca dhe Italia), si edhe Bashkimi Evropian dhe NATO e kundërshtojnë hapjen e urës, siç thonë, në mënyrë të njëanshme dhe të pakoordinuar.

Të martën, ambasadori i Shtetëeve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës “besojnë fuqishëm se nuk është koha për të rihapur urën për qarkullim të automjeteve”.

Ai ka thënë se këtëe qëndrim e kanë edhe vendet tjera të QUINT-it.

“… ne i kemi kërkuar Qeverisë që të mos vazhdojë me këtë çështje, tash për tash, dhe këtë nuk e kanë bërë vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kolegët e mi të QUINT-it kanë qenë me mua në një takim me kryeministrin (Albin Kurti) për këtë çështje”, ka thënë Honevier, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Kundër hapjes së urës pa marrëveshje politike është shprehur edhe misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR.

“Rikonfirmojmë se çdo vendim në lidhje me urën mbi lumin Ibër duhet të merret përmes dialogut politik dhe në mënyrë të koordinuar. Ne vazhdojmë të mbështesim plotësisht dialogun e ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e ndërmjetësuar nga BE-ja”, tha KFOR-i të martën vonë.

Bashkimi Evropian ka deklaruar disa herë se çështja e hapjes së Urës së Ibrit duhet të diskutohet në dialogun Kosovë- Serbi, në Bruksel. Kjo është përjashtuar kategorikisht nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Aktualishtm Ura e Ibrit është e hapur vetëm për qarkullim të këmbësorëve. Në urë qëndrojnë vazhdimisht patrullat e KFOR-it italian, të cilat kujdesen për sigurinë në urë.

(r.m.)