Kurti: Me SHBA-në kemi bashkëpunim shumë të mirë, por s’pajtohemi për gjithçka

Prishtinë, 19 shkurt 2024 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka cilësuar si të mira raportet e qeverisë së tij me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por ka shtuar se kjo “nuk do të thotë që pajtohemi për gjithçka”.

“Bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) është shumë i mirë, ne jemi partnerë, aleatë, miq, por kjo nuk do të thotë që pajtohemi absolutisht çdoherë në çdo vend për gjithçka”, ka thënë Kurti të hënën, në ceremoninë e vënies së gurthemelit të fabrikës për prodhimin e dyerve dhe dritareve në Verbicë të Gjilanit.

Kurti tha se është obligim kushtetues i qeverisë që ta respektojë Rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës që e pamundëson përdorimin e dinarit të Serbisë në operacionet me para të gatshme në Kosovë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, sipas Kushtetutës dhe ligjit, e ka për detyrë ta mbështesë, andaj edhe unë them që raportet tona janë shumë të mira dhe i qëndroj kësaj fjale”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se do të shkojë në Bruksel nëse do të ftohet për nënshkrim të marrëveshjes bazë drejt normalizimin të rasporteve me Serbinë, për të cilën palët janë pajtuar deklarativisht..

“Nëse na thërrasin për nënshkrim të marrëveshjes pa dyshim që shkoj. Unë jam treguar konstruktiv dhe i përkushtuar edhe atëherë kur na kanë thirrur në Bruksel, ndonëse raundi i bisedimeve nuk mund të thuhet që ka qenë i suksesshëm. Unë këtë e bëj për BE-në, por e bëj edhe për shkak se duhet të kemi marrëdhënie normale me Serbinë”, është shprehur Kurti.

“Sa për mua, marrëdhëniet do normalizoheshin qysh në vitin e kaluar. Por, nëse nuk është bërë në shkurt dhe mars të vitit 2023, mund të bëhet në shkurt e mars të vitit 2024. Pse jo”, është shprehur ai.

Por, Kurti është shprehur pessimist se pala serbe është e gatshme ta nënshkruajë këtë marrëveshje. Ai ka thënë se kjo është shprehur qartësisht nga kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.

“Shkeljet dhe mosrespektimi i marrëveshjeve të deritashme nga ana e Serbisë kulmuan me letrën e kryeministres Bërnabiq, e cila  praktikisht u tërhoq nga marrëveshja”, ka theksuar ai,

Kurti ka theksuar se nuk mund të ketë normalizim të raporteve mes Kosovës e Serbisë, derisa Serbia vazhdon të armatoset  nga Rusia dhe nga Kina, gjë që përbën kërcënim për Kosovën.

“Ajo blen armë për shkak të Kushtetutës së saj agresive dhe projektit të saj serbomadh”, ka thënë Kurti.

“Pra, nuk mund të kemi një normalizim i cili është në kundërshtim me të drejtën e Republikës së Kosovës për të ekzistuar, për t’u mbrojtur e për të qenë e lire”, ka theksuar ai.

(r.m.)