Kurti: Ne kemi problem me Beogradin, jo me serbët e Kosovës

Prishtinë, 11 qershor 2024 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se qeveria e tij nuk ka probleme me serbët e Kosovës, por me Qeverinë e Serbisë.

Duke folur në samitin “The Western Balkans 2024”, të martën në Prishtinë, Kurti tha se integrimi i serbëve të Kosovës në institucionet e vendit, është çështje parësore për të.

“Problemi që kemi, nuk ka të bëjë me serbët. Problemin e kemi me Beogradin, i cili nuk u distancua as nga Millosheviqi i së kaluarës e as nga Putini i së tashmes”, tha Kurti, duke iu referuar ish-presidentit jugosllav dhe presidentit aktual rus.

Serbët në veri të Kosovës, të ndikuar nga Beogradi dhe strukturat paralele të tij në Kosovë, e kundërshtojnë vazhdimisht autoritetin e Qeverisë së Kosovës. Ata shpesh organizojnë protesta ose i shpërfillin vendimet e autoriteteve kosovare. Në nëntor të vitit 2022, ata dolën nga institucionet e Kosovës në veri, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së vendit për t’i riregjistruar makinat me targa ilegale serbe.

Kurti tha të martën se Kosova po bën tashmë konvertimin e patenshoferëve, të diplomave e të targave të automjeteve, si hapa për integrimin e komunitetit serb.

Por, Qeveria e tij është nën presionin e ndërkombëtarëve për ta formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për të cilin udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë ishin dakorduar në vitin 2013.

Marrëveshja e nënshkruar nga të dyja palët në Bruksel ishte miratuar edhe nga Kuvendi i Kosovës, por Gjykata Kushtetuese gjeti disa prej pikave të marrëveshjes nuk ishin në pajtim me Kushtetutën dhe se këto pika duhet të harmonizoheshin me Kushtetutën në Statutin e Asociacionit.

Pavarësisht garancive nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, Kosova nuk e zbatoi atë marrëveshjen për shkak se druan që një Asociacion me kompetenca ekzekutive, çfarë synon Serbia, e cenon sovranitetin dhe rendin kushtetues të Kosovës.

Serbia, nga ana e saj, nuk I ka zbatuar shumë prej marrëveshjeve të arritura në kuadrin e dialogut me Kosovën, sepse e konsideron Kosovën pjesë të tërësisë territoriale dhe sovranitetit të saj. Këtë qëndrim e fuqizoi edhe një herë në deklaratën e miratuar të shtunën që shkoi në Kuvendin Gjithserb, në Beograd.

(r.m.)