Nju York, 19 shtator 2026 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili gjendet në Nju Jork, ka marrë pjesë në një bashkëbisedim me të rinjë shqiptarë që jetojnë në Amerikë, të organizuar nga tri grupe të rinjsh shqiptaro-amerikanë: ZANI, F’Oda, dhe Columbia University Albanian Society.
Një ndër temat e interesimit të pjesëmarrësve, siç bën të ditur Zyra e Kryeministrit të Kosovës, ka qenë aktgjykimi dënues i Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë për katër ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në njoftim thuhet se Kryeministri Kurti e ka përsëritur përkushtimin e Qeverisë që ai e drejton që të përdorë të gjitha mjetet që i ka në dispozicion për rrëzimin e aktgjykimit të Gjykatës Speciale, të cilin e ka cilësuar si “të padrejtë juridikisht e moralisht dhe të pasaktë historikisht dhe faktikisht”.
“Ai ka theksuar nevojën për dakordimin mbi një strategji shtetërore për reagimin sa më të përshtatshëm dhe efikas ndaj verdiktit të shkallës së parë, si në ndihmën e ekipeve në instancat e apelit, ashtu edhe në rrafshin diplomatik”.
Sipas njoftimit, Kurti është zotuar se institucionet e Kosovës, në bashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë të Kosovës, “do të angazhohet intensivisht në mbrojtjen e luftës çlirimtare të Kosovës përballë propagandave të Serbisë” si edhe “në zbardhjen e masakrave dhe krimeve të tjera të Serbisë në Kosovë, të cilat Beogradi zyrtar, mbi 27 vjet pas përfundimit të luftës, po përpiqet akoma t’i fshehë”.
Në takim, Kurti ka biseduar me të rinjtë shqiptaro-amerikanë edhe për një sërë temash të tjera, përfshirë situatën aktuale në Kosovë, zhvillimin ekonomik, sistemin e drejtësisë, sistemin e arsimit etj.
Gjatë Takimit, Kurti ka theksuar për shqiptarët, kudo që ata jetojnë, është me interes zgjerimi i bashkëpunimit të të rinjëve shqiptarë në mbarë hapësirën gjerografike shqiptare dhe në mbarë botën.
Në takim kanë marrë pjesë edhe kryetarja e Preshevës Ardita Sinani dhe deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, të cilët kanë njoftuar për situatn dhe zhvillimet në Luginë të Preshevës, me theks në pozitën e shqiptarëve atje.
(r.m.)





