Davos (Zvicër), 20 janar 2026 – Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në panelin me temën “Besimi, Lidershipi dhe Amerika 250”, në Shtëpinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Davos.
Gjatë diskutimit, Kurti e ka cilësuar besimin si shtyllë të shërbimit dhe unitetit në etapa të ndryshme të zhvillimit shoqëror dhe në funksionimin e shtetit.
“Besimi shërben si shtyllë e shërbimit dhe unitetit në etapa të ndryshme shoqërore dhe shtetërore”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka theksuar se përpjekjet e vazhdueshme për bashkëpunim dhe për përmirësim të gjendjes janë faktorë kyçë të shpresës dhe besimit në të ardhmen.
Kurti ka thënë gjithashtu se optimizmi për të ardhmen buron nga angazhimi dhe aktivizmi i vazhdueshëm shoqëror.
Paneli ku mori pjesë Kurti është pjesë e iniciativës së Forumit Ekonomik Botëror “Komuniteti i Besimit në Veprim”, e cila synon të nxisë reflektim mbi mënyrën se si udhëheqësit nga vende të ndryshme të botës mund të ndërtojnë partneritete inovative në fushat e mjedisit, ekonomisë dhe teknologjisë.
Sipas organizatorëve, kjo iniciativë synon të shqyrtojë mënyrat se si liderët globalë mund të përshpejtojnë bashkëpunimin dhe reagimin ndaj sfidave të ndryshme shoqërore.




(r.m.)