Kurti, në takim me diplomatin amerikan Brendan Hanrahan: Kosova do të jetë gjithmonë partnere e besueshme e SHBA-së

Prishtinë, 12 korrik 2025 – Kosova do të jetë gjithmonë partnere e besueshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka thënë kryeministri në detyrë Albin Kurti të shtunën, gjatë një darke pune me zyrtarin e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane dhe të Euro-Azisë, Brendan Hanrahan, në rezidencën e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Prishtinë.

Zyra e Kryeministrit njoftoi se Kurti ka shprehur gjithashtu mirënjohjen e popullit të Kosovës për “mbështetjen e vazhdueshme dhe kritike” të SHBA-së.

“Kryeministri Kurti i uroi mirëseardhje z. Hanrahan në Kosovë, teksa theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleat i palëkundur për vendin tonë dhe Republika e Kosovës do të jetë gjithmonë partner i besueshëm i tyre. Gjithashtu, shprehu mirënjohjen e tij dhe të popullit të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme dhe kritike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thuhet në njoftim.

Zyra e Kurtit bëri të ditur se Kurti ka shprehur “vullnetin dhe gatishmërinë” e Qeverisë së Kosovës për thellimin dhe forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve me SHBA-të dhe për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme.

“Gjatë darkës, u diskutua për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë në fushën e investimeve, të diplomacisë e të mbrojtjes, si dhe progresin e Republikës së Kosovës në integrimin e saj euro-atlantik. Kryeministri Kurti shprehu vullnetin dhe gatishmërinë e Qeverisë për thellimin dhe forcimin e mëtejmë të raporteve dypalëshe”, thuhet në njoftim.

Zyra e Kurtit tha se në takim është diskutuar edhe për zhvillimet aktuale politike, bashkëpunimin rajonal dhe raportet me Serbinë.

Nikoqire e darkës ka qenë e ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati. Të ftuar ishin edhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe ministri në detyrë për Komunitete e Kthim, Nenad Rashiq.

Brendan Hanrahan erdhi në Kosovë të shtunën në mbrëmje, pas vizitës në Serbi.

Dy ditë më parë, z. Hanrahan u takua në Uashington me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

(r.m.)