Kurti në takim me kancelarin Scholz: Propozimi evropian bazë e mirë për të ecur përpara

Mynih, 18 shkurt 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua me kancelarin e Republikës Federale Gjermane, Olaf Scholz, në margjina të Konferencës së Sigurisë në Mynih.

Në njoftimin e kabinetit të Kurtit thuhet se gjatë takimit, ndër të tjera, është biseduar edhe për propozimin evropian për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, i cili është konsiderohet si “bazë e mirë për diskutime të mëtejme dhe kornizë solide për të ecur përpara”.

Kryeministri Kurti e ka vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme dhe angazhimin e drejtpërdrejtë të Gjermanisë dhe të Francës për normalizim të raporteve mes Kosovës e Serbisë.

Ai ka thënë se Kosova, “si vend pro-evropian dhe pro-amerikan, mbetet e përkushtuar dhe konstruktive në dialog teksa dëshiron marrëdhënie të mira fqinjësore dhe integrim në BE dhe NATO”.

Kurti e ka njoftuar Kancelarin Scholz se Qeveria e Kosovës i ka miratuar së fundi tri marrëveshjet e nënshkruara me 3 nëntor në Berlin, të cilat do të ratifikohen së shpejti në Kuvend. Ai ka thënë se kjo  është dëshmi e përkushtimit të Kosovës për Procesin e Berlinit.

Sipas njoftimit, në takim me Kancelarin Scholz, Kurti ka folur edhe për progresin e arritur në Kosovë gjatë dy viteve të qeverisjes prej tij.

Në takim kanë marrë pjesë edhe zëvendëskryeministrja e Kosovës, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, dhe ministrja për Evropë dhe Punë të Jashtme e Francës, Catherine Colonna.

(r.m.)