Kurti në takim me sekretaren Cooper: Partneriteti me Britaninë – kyç për mbrojtje nga lufta hibride e Rusisë

Londër, 22 tetor 2025 – Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është pritur në takim nga Sekretarja e Shtetit për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, njoftoi Zyra e Kryeministrit të Kosovës.

Takimi u zhvillua pak para fillimit të punimeve të Samitit të Procesit të Berlinit, i cili po mbahet në Londër.

Zyra e Kryeministrit të Kosovës njofton se në takim është biseduar pikërisht për temat që do të trajtohen në këtë samit.

“Në takim u diskutua mbi temat kryesore të Samitit: sigurinë, rritjen dhe migracionin, si thelbësore për Ballkanin Perëndimor dhe Mbretërinë e Bashkuar. Gjithashtu, biseduan për mënyrat e thellimit të bashkëpunimit dhe mbështetjes në fushat e energjisë, infrastrukturës, përfshirë edhe transportin dhe edukimin”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, Kurti ka ngritur çështjen e sigurisë në Kosovë.

“Siguria e Kosovës është siguria e kufijve të saj. Partneriteti me Mbretërinë e Bashkuar është kyç për t’u mbrojtur nga lufta hibride e Rusisë dhe influenca e saj në Ballkanin Perëndimor, përfshirë këtu dezinformimin dhe financat e paligjshme”, citohet të ketë thënë Kurti.

Ai ka folur edhe për investimet e Kosovës në fushën e mbrojtjes.

“Në fushën e mbrojtjes, kryeministri theksoi se Kosova po investon në inovacion, arsim dhe partneritete, duke vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar. Ai gjithashtu nënvizoi potencialin e vendit për investime dhe mundësitë për projekte strategjike të përbashkëta me Britaninë”, thuhet në njoftim.

Kurti e ka akuzuar edhe një herë Beogradin që ka ofruar mbrojtje për udhëheqësin e grupit të armatosur serb që kreu sulmin terrorist në Banjskë, Milan Rajoçiq.

“Kryeministri kujtoi që përgjegjësit për sulmin paramilitar e terrorist në Banjskë ende janë të lirë dhe të mbrojtur në Serbi, përkundër faktit që autori i sulmit, terroristi Milan Radoiçiq, ka pranuar përgjegjësinë. Lënia e tyre të lirë përbën kërcënim të vazhdueshëm për sigurinë e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Gjatë takimit është biseduar edhe për të drejtat e komunitetever pakicë në rajon. Kurti ka thënë se Kosova “mbetet shembull me garanci të forta ligjore dhe me mbrojtje të avancuar të të drejtave të pakicave”.

Kurti e ka njoftuar sekretaren Cooper se anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian janë prioritete të Kosovës dhe ka theksuar se rëndësinë e partneritetit me Mbretërinë e Bashkuar.

“Përmes partneritetit me Britaninë e Madhe, mund të ecim drejt integrimit në aleancën e Atlantikut të Veriut, por edhe angazhohemi për njohje të reja”, ka thënë ai.

Kurti dhe sekretarja britanike e Shtetit për Punë të Jashtme kanë diskuar edhe për çështjen e migracionit. Kurti citohet të ketë thënë se Kosova është e gatshme ta mbështesë Britaninë e Madhe për të menaxguar rrjedhën e migracionit.

“Kosova nuk është burim i migrimit, por ka vullnet të ndihmojë Britaninë e Madhe, një shtet mik dhe partner, të menaxhojë rrjedhën e migracionit. Së bashku po punojmë në forcimin e sigurisë kufitare, si edhe në luftimin e krimit të organizuar”, ka theksuar ai.

(r.m.)