Muhin, 14 shkurt 2026 – Në margjina të Konferenca e Sigurisë në Mynih, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me senatorët amerikanë: Jeanne Shaheen, Chris Murphy, Thom Tillis dhe Ruben Gallego.
Si ka njoftuar Kurti në një status në platformën X, ai ka shprehur mirënjohje për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar si aleatin e pazëvendësueshëm të Kosovës.
Kurti ka thënë se në takim me senatorët amerikanë është diskutuar për “progresin e dukshëm” të Kosovës, në planin demokratik dhe ekonomik.
Ai ka treguar se në takim ka përsëritur tri kushtet tashmë të njohura që duhet t’i përmbushë Serbia për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën: ta dorëzojë te organet e drejtësisë së Kosovës të dyshuarin kryesor për sulmin e grupit të armatosur serb në Banjskë, ta nënshkruajë Marrëveshjen e Brukselit dher tas tërheqë letrën e ish-kryeministres serbe Ana Bërnabiq dërguar Bashkimit Evropian me të cilën e ka mohuar integritetin territorial të Kosovës.
“Ishte kënaqësi të takohesha me një delegacion dypartiak të Shteteve të Bashkuara të përbërë nga senatorët Jeanne Shaheen, Chris Murphy, Thom Tillis dhe Ruben Gallego. Diskutuam për progresin e Kosovës, i cili është i dukshëm si në aspektin demokratik ashtu edhe në atë ekonomik. Gjithashtu, folëm për angazhimin e qartë të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe shprehëm mirënjohjen tonë për Shtetet e Bashkuara, një aleat i pazëvendësueshëm. Unë theksova se, përsa i përket marrëdhënieve me Serbinë, duhet të dorëzohet Milan Radoiçiq që të përballet me drejtësinë, duhet të nënshkruhet Marrëveshja Bazë dhe duhet të tërhiqet letra e Bërnabiq, e cila e mohon në formë të shkruar integritetin territorial të vendit tonë. Këta hapa do të siguronin llogaridhënie dhe qëndrueshmëri në procesin e normalizimit të marrëdhënieve”, ka shkruar Kurti.
Në takim me senatorët amerikanë ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri e ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, dhe Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
(r.m.)