Kurti në Waterbury Connecticut: “Të punojmë bashkë për një Shqiptari më të mirë”

Waterbury (Connecticut), 30 shtator 2024 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është mirëpritur të dielën në një tubim të madh të komunitetit shqiptar në Qendrën Kulturore Shqiptaro-Amerikane “Hasan Prishtina” në Waterbury, Connecticut.

Mes pjesëmarrësve të shumtë në këtë tubim ishin të pranishëm edhe Kryetari i Qytetit, Waterbury, Paul K. Pernerewski Jr., Senatori Richard Blumenthal dhe Shefi i Policisë në Waterbury, Fred Spagnolo.

  1. Pernerewski, duke i uruar Kurtit mirëseardhje, e vlerësoi punën dhe kontributet e komunitetit shqiptar në Waterbury si edhe lidhjet e fuqishme të këtij komuniteti me vendet e origjinës. Ai tha se komuniteti shqiptar në Waterbury është ndër më të mëdhenjtë në Amerikë dhe se ata japin kontribut të çmueshëm në zhvillimin ekonomik e social të qytetit.
  2. Pernerewski ia dorëzoi z. Kurti “Çelësin e Qytetit”, i cili është simbol i miqësisë dhe mirëseardhjes në këtë qytet.

Senatori Richard Blumenthal, në fjalën e mirëseardhjes në Connecticut, tha se ai e admiron kurajën dhe qëndresën e Kurtit në luftën për lirinë e Kosovës. Ai tha se “e gjithë Amerika do të qëndrojë përkrah Kosovës” dhe shprehu dëshirën që ta vizitojë Kosovën bashkë me senatorë të tjerë amerikanë.

Senatori Blumenthal shprehu mbështetjen e tij edhe komunitetin shqiptar në Amerikë.

Kryeministri Kurti, siç njofton kabineti i tij, i ka falënderuar z. Pernerewski dhe Senatorin Blumenthal për pritjen, ndërsa komunitetit shqiptar i ka bërë thirrje që, të gjithë së bashku e kudo që jetojnë e veprojnë, të punojnë për një të ardhme edhe më të mirë të kombit shqiptar.

“Ne e dimë që ju jeni jashtë atdheut, por po ashtu e dimë që ju jeni brenda kombit dhe duke qenë brenda kombit kemi përgjegjësi për njëri-tjetrit, e duhet të punojmë bashkë sa më shumë për një kontribut sa më të madh edhe shoqëror e familjar, por e dhe shtetëror e kombëtar, ashtu që shqiptaria që do t’ua lëmë brezave pas nesh të jetë shumë më e mirë se sa ajo që e kemi gjetur”, citohet Kurti.

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla – Schwarz, ka shprehur buindjen se mërgata shqiptare do të vazhdojë të jetë mbështetëse e fuqishme e institucioneve të Kosovës në përpjekje për një të ardhme më të mirë.

“Siç ka ditur mërgata jonë e çmuar të rreshtohet pas presidentit Rugova në luftën për liri dhe pavarësi, siç kemi ditur të kontribuojmë të gjithë së bashku në mbrojtjen dhe çlirimin e vendit, përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ashtu edhe sot do të dimë të rreshtohemi pas institucioneve të Republikës së Kosovës, të cilat garantojnë një përparim të republikës sonë, një të ardhme më të mirë dhe një luftë të vendosur për të vërtetën”, citohet ministrja Gërvalla.

DSC4576

DSC4514

DSC4437

DSC01440

DSC4293

DSC4744

(r.m.)

Comment

*