Kurti: Nëse hedhja me vezë është çmimi që duhet ta paguaj për marrëveshje, jam i lumtur ta paguaj

Prishtinë, 8 gusht 2026 – Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njëherësh ushtrues i detyrës së kryeministrit të vendit, e ka relativizuar sulmin me vezë ndaj tij.

Pas sulmit me vezë nga deputetja e Aleancës, Time Kadriaj, Kurti ka thënë se do të ishte i lumtur sikur ky të ishte çmimi që duhet të paguajë për vazhdimin e bisedimeve për një marrëveshje politike për formimin e institucioneve të reja të shtetit.

“Nëse gjuajtja me vezë dhe goditja e sakos dhe pantallonave të kryeministrit nga vezët që i hedh një deputete është çmimi që duhet ta paguaj unë, në mënyrë që të ulemi, të bisedojmë bashkë e të dialogojmë, jam i lumtur ta paguaj këtë çmim. Vetëm le të vijnë në takim, vetëm le të ulemi të bashkëbisedojmë. Unë nuk ankohem që ata hedhin vezë, ankohem që ata nuk duan të takohemin”, ka deklaruar Kurti, pas ndërprerjes së seancës konstituive.

“Nuk ka kuptim që të mos bëjmë marrëveshje, mos të bashkëbisedojmë”, ka theksuar ai.

Kurti ka thënë se LVV nuk propozoi kandidat për kryetar të Kuvendit në seancën e sotme, me qëllim që të ketë kohë shtesë për vazhdimin e përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje politike për formimin e të gjitha institucioneve, përfshirë zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

“Nuk propozuam një emër, ndonëse i kemi votat për një gjë të tillë, me që çfarëdo konstituimi pa marrëveshje politike që do garantonte qëndrimin në sallë dhe votimin për presidentin do na shpinte te zgjedhjet e reja”, ka thënë Kurti.

“Andaj insistimi ynë i drejtë dhe i dobishëm është që të ulemi të bisedojmë të merremi vesh dhe vetëm nga lartësia e një marrëveshje politike dhe nga gjerësia e një marrëveshje mes meje si kryetar i LVV me liderët e partive të tjera të konstituojmë Kuvendin, qeverinë dhe ta zgjedhim presidentin”, ka theksuar ai.

Deputetja Time Kadriaj e ka gjuajtur me vezë Kurtin, për shkak se ai ka kërkuar nga kryesuesi Avni Dehari ndërprerjen e seancës, për të fituar “kohë shtesë” për bisedime me liderët e partive tjera parlamentare për një marrëveshje politike.

Bisedimet mes LVV-së dhe LDK-së nuk kanë dhënë rezultat për shkak të pozicioneve të tyre të papajtueshme për pozitën e presidentit. Sipas deklaratave publike, LVV-ja këmbëngul që presidenti i ardhshëm të jetë një figurë jopolitike, e zgjedhur në mënyrë konsensuale, ndërsa LDK-ja kërkon që president i ri të zgjidhet një kandidat i saj.

LVV-ja thirret në rezultatin e zgjedhjeve, ndërsa LDK-ja në nevojën për “balancë të pushteteve”.

(r.m.)