Kurti: “Nëse nuk ndëshkohet për agresionin në Kosovë, Serbia do ta përsërisë krimin”

Podgoricë, 9 tetor 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se hetimet lidhur me sulmin terrorist serb në pjesën veriore të Kosovës dëshmojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë të institucioneve shtetërore të Serbisë.
“Po e përsëris se provat e mbledhura gjatë hetimeve të kryera tregojnë për përfshirjen e drejtpërdrejtë të institucioneve shtetërore të Serbisë në këtë akt agresioni kundër Republikës së Kosovës”, ka thënë Kurti për gazetën malazeze “Pobjeda”.
Ai ka paralajmëruar se Serbia do ta përsërisë këtë akt agresioni, në qoftë se nuk saksionohet nga bashkësia ndërkombëtare.
“Për këtë Serbia duhet të sanksionohet dhe të ndëshkohet ndërkombëtarisht. Nëse edhe ky akt mbetet i pandëshkuar, Serbia do ta përsërisë krimin”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë se arrestimi dhe lirimi i organizatorit të sulmit, Milan Radoiçiq, është bërë me marrëveshje me presidenten e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai ka krahasuar këtë me marëveshjen e bosit të drogës Pablo Escobar me presidentin e Kolumbisë.
“Arrestimi dhe lirimi i Radoiçiqit të kujton marrëveshjen e Pablo Escobarit me presidentin e Kolumbisë. Escobari, në fakt, pranoi të shkonte në burg, me kusht që të vendosej në burgun e tij, të ndërtuar në mënyrë të pavarur, në të cilin do të kontrollonte komandantët dhe jo anasjelltas”, ka thënë ai.
Kurti e ka krahasuar marrëdhënien e Vuçiqit me Radoiçiqin me marrëdhënien e presidentit të Rusisë,Vladimir Putin, me ish-kreun e forcës paramilitare ruse “Vagner”, Yevgeny Prigozhinin.
“Putini i vogël në Beograd duhet të ketë Prigozhinin e tij të vogël në Kopaonik. Ose, nëse kthehemi pak më tej në të kaluarën, del një paralele: Sloba (Sllobodan Millshoviqi) i ri në Beograd e ka (Zhelko Razhnjatoviq) Arkanin e tij të ri në Kosovë”, është shprehur ai.
Kurti ka thënë se pjesëtarët e grupit që kanë arritur të arratisen nga Kosova pas sulmit në Banjskë duhet t’u dorëzohen autoriteteve të Kosovës dhe dy organizatat paralele të sigurisë që janë përfshirë në sulm duhet të shpallen organizata terroriste.
“Organizatat ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Brigada e Veriut’ duhet të shpallen organizata terroriste nga vendet tona mike, partnere dhe aleate. Qeveria e Republikës së Kosovës tashmë e ka bërë këtë në seancën e 29 qershorit të këtij viti”, ka thënë ai.
(r.m.)