Prishtinë, 23 shkurt 2026 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur konsultimet me partitë opozitare lidhur me zgjedhjen e Presdidentit apo Presidentes së re të vendit.
Të dielën pasdite Kurti u takua me Kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ndërsa sot do të takohet me Kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku.
Kurti tha se me Hamzën ka diskutuar edhe lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit.
“Natyrisht, temë e bisedës ishte edhe çështja e zgjedhjes së Presidentit, për çfarë kanë mbetur vetëm edhe 10 ditë kohë në bazë të afateve kushtetuese. U konstatua që bashkëpunimi është i nevojshëm, duke qenë se duhen së paku 2/3 e deputetëve të Kuvendit për votim të suksesshëm”, tha Kurti pas takimit me Hamzën.
Ai shtoi se Hamza, partia e të cilit i ka 22 ulëse neë Kuvend, ka shprehur “gatishmërinë” për bashkërendim parlamentar për çështje të “interesit shtetëror e kombëtar”.
Por, ai nuk tha asgjë për kandidaturat e mundsshme as për preferencat e partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje, pa votat e së cilës është e pamundur të zgjidhet presidenti apo presidentja, cilido apo cilado që të jetë ai apo ajo.
Ndërkaq, liderët e PDK-së dhe LDK-së kanë thënë se këto parti do të mbështesin një kandidat që përfaqëson “unitetin” qytetar
Hamza tha se zgjedhja e Presidentit “nuk është çështje e një partie të vetme, por përgjegjësi e të gjithë përfaqësuesve të zgjedhur të popullit”. Ai tha se PDK-ja do të marrë pjesë në proces, por nuk do të mbështesë kandidatura që nuk e përfaqësojnë unitetin qytetar.
“Si subjekt politik opozitar, nuk kemi qenë dhe nuk jemi pengesë e proceseve shtetërore, por as nuk mbështesim kandidatura që nuk përfaqësojnë unitetin qytetar, sipas frymës kushtetuese”, ka thënë Hamza.
“Uroj që të ketë reflektim nga ata që e kanë përgjegjësinë kushtetuese për të propozuar kandidatura me mbështetje të gjerë, duke shmangur kalkulimet afatshkurtra partiake. Stabiliteti institucional është jetik dhe duhet të trajtohet si i tillë”, ka shtuar ai.

Kosova duhet ta zgjedhë Presidentin a Presidenten e re më së largu deri më 4 mars. Sipas Kushtetutës, Presidenti i ri duhet të zgjidhet një muaj para skadimit të mandatit të Presidentit që në detyrë. Mandati i Presidentes Vjosa Osmani përfundon më 5 prill.
Presidentja Osmani ka bërë të ditur se ajo do të kërkojë edhe një mandat të dytë pesëvjeçar, por tash për tash nuk dihet nëse ajo mund ta fitojë përkrahjen e nevojshme për t’u rizgjedhur në këtë pozitë.
Deri më tash, nuk është paraqitur dhe as nuk është përmendur ndonjë kandidat tjetër i mundshëm për pozitën e të parit të vendit.
(r.m.)