Kurti njofton se FSK është pajisur me sistemin raketor antitank “Panzerfaust 3”

Prishtinë, 24 dhjetor 2025 – Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është pajisur me sistemin raketor antitank gjerman “Panzerfaust 3”, si pjesë e programit për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.

“Sistemi raketor antitank gjerman ‘Panzerfaust 3’, pjesë e arsenalit mbrojtës së FSK-së”, ka shkruar Kurti në një postim në Facebook.

“Gjatë mandatit tonë, Ministria e Mbrojtjes, përveç të tjerash, ka realizuar edhe një blerje tjetër të rëndësishme për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Republikës së Kosovës: sistemin raketor antitank gjerman Panzerfaust 3, një nga sistemet më të avancuara dhe më të besueshme të këtij lloji, në përdorim nga ushtritë e vendeve të NATO-s”, ka shkruar ai.

Kurti e ka cilësuar pajisjen e FSK-së me këtë sistem si “një hap të rëndësishëm në modernizimin e mbrojtjes së Kosovës”. Ai ka theksuar rëndësinë e investimeve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

“Investimi në mbrojtje është investim për paqen, sovranitetin dhe integritetin e Republikës sonë”, ka theksuar ai.

Kurti e ka postuar edhe një video të demonstrimit të sistemeve “Panzerfaust 3”.

https://www.facebook.com/watch/?v=1870540490225397

(r.m.)