Kurti: Nuk besoj që me Osmanin kemi dallime të patejkalueshme

Prishtinë, 4 qershor 2024 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të martën se midis tij e Presidentes Vjosa Osmani ndonjëherë ka edhe dallime, por theksoi se nuk beson se dallimet midis tyre janë të patejkalueshme. Sidoqoftë, ai tha se ai dhe Presidentja kanë bashkëpunim të ngushtë.

“Kemi bashkëpunim të ngushtë. Kjo nuk do të thotë që edhe me kryeparlamentarin [Glauk] Konjufca, edhe me ministren e Jashtme, [Donka] Gërvalla, edhe me presidenten [Vjosa] Osmani nuk kemi pasur diskutime dhe ndonjëherë dallime, por unë nuk besoj që ka të tilla që janë të patejkalueshme”, tha ai.

Kurti e bëri këtë deklaratë duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve lidhur me marrëdhëniet e tij me Presidenten e vendit. Ky interesim vjen pas mospajtimeve të Presidentes Osmani me përmbajtjen e letrës që ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, ia kishte dërguar Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës në prag të mbledhjes në të cilën pritej shqyrtimi i kërkesës së Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë. Në letër premtohej që një dreaft i statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë do të dërgohej për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese gjatë muajit maj.

Presidentja Osmani ka thënë se ajo nuk ishte konsultuar fare lidhur me përmbajtjen e letrës, të cilën e kishte cilësuar të dëmshme për Kosovën. Ajo ka theksuar se me me atë letër çështja e formimit të Asociacionit trajtohej veçantë nga Marrëveshja e parimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, e cila përfshin çështjen e Asociacionit në korpusin e të gjitha çështjeve të hapura me Serbinë që duhet të zgjidhen njëkohësisht.

Kurti: Turqia është një adresë e duhur për zhvillimin e mëtutjeshëm të ushtrisë sonë

Kryeministri Kurti u pyet edhe për vizitën e tij në Korporatën turke “Baykar” që i prodhon dronët “Bayraktar” në Turqi. Ai tha se Turqia është një adresë për blerje të armatimit për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK). Por ai nuk foli për armë apo për pajisje specifike.

“Për të gjitha blerjet ushtarake unë bashkëpunoj shumë ngushtë me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe me komandantin e FSK-së, Bashkim Jasharin. Sigurisht se ne do të vazhdojmë me pajisje moderne për ushtrinë tonë. Kemi dyfishuar shpenzimet për mbrojtje, e kemi trefishuar për armatim, e kemi katërfishuar për trajnime jashtë vendit. Korporata Baykar që prodhon dronin ‘Bayraktar’, pa dyshim, është një adresë e duhur që duhet të kemi përherë parasysh për zhvillimin e mëtutjeshëm të ushtrisë sonë. Por çfarë pajisjesh, kur do t’i blejmë dhe sa? Kjo mund të merret vesh në të ardhmen”, theksoi ai.

Kurti: “Unë flas publikisht se kush duhet mbështetur edhe në BE e SHBA e lëre më në Luginë e në Ulqin”

Kurti u pyet edhe për një deklaratë të ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili e cilësoi si “gabim që duhet të korrigjohet” pozicionimin e Kurtit për një subjekt të caktuar politik në zgjedhjet lokale në Preshevë dhe në Bujanoc.

Kurti tha se ai e ka bërë këtë si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe ka kujtuar se edhe më parë ka mbështetur kandidatë të caktuar në Luginë të Preshevës. Madje, ka theksuar se ai e thotë publikisht edhe kush duhet mbështetur në Bashkimin Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Levizja Vetëvendosje e ka qëndrimin e qartë dhe i merr vendimet në organet e veta. Ne e kemi mbështetur edhe Shaip Kamberin në zgjedhjet parlamentare. Aty nuk ka qenë vetëm një bllok, por dy blloqe dhe ne jemi përcaktuar ta mbështesim bllokun ku ka qenë Shaip Kamberi. Unë jam kryeministër, por jam edhe kryetar i Levizjes Vetëvendosje. Ju e dini se unë flas publikisht se kush duhet mbështetur edhe në Bashkimin Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e lëre më në Luginë dhe në Ulqin. Jo vetëm kaq. Duhet theksuar se të gjitha partitë në Kosovë dhe në Shqipëri mbështesin kandidatë të caktuar”, theksoi Kurti.

(r. m.)