Kurti nuk i siguroi votat për formimin e qeverisë, Kosova duket se po shkon drejt zgjedhjeve të reja

Prishtinë, 26 tetor 2025 – Kuvendi i Kosovës e rrëzoi propozimin e mandatarit Albin Kurti për formimin e qeverisë së re. Për përbërjen e qeverisë “Kurti 3” votuan vetëm 56 deputetë. 52 deputetë votuan kundër, kurse 4 deputetë abstenuan. 

Tani çështja i kalon Presidentes Vjosa Osmani. Sipas Kushtetutës, brenda dhjetë ditësh ajo duhet të emërojë një mandatar të dytë për kryeministër, i cili ka gjasa më të mëdha për të siguruar së paku 61 vota për formimin e qeverisë. Në qoftë se nuk merr garanci se ndonjë parti mund t’i sigurojë këto vota, ajo duhet të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.

Sipas fuqisë së forcave politike në përbërjen aktuale të Kuvendit dhe raporteve midis tyre, vështirë se ndonjë prej partive politike mund ta sigurojë shumicën. Prandaj zgjedhjet e reja duken të pashmangshme.

Murati: Modeli që kemi ofruar ne, është refuzuarHekuran Murati.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, njëherësh ministër në detyrë i Financave, i ka akuzuar deputetët e partive tjera se e kanë vendosur përpara inatin dhe kanë vendosur të barrikadohen në vend që ta shohin interesin shtetëror.

Ai ka thënë se partia të cilës i takon nuk është vonuar asnjë ditë dhe prej certifikimit të rezultateve i ka kryer të gjitha detyrat brenda afateve kushtetuese.

“Të gjitha zvarritjet, të gjitha vonesat, siç është parë edhe sot, kanë qenë në mënyrë që të bllokohet qoftë formimi i Kuvendit, qoftë formimi i Qeverisë nga fituesi i zgjedhjeve dhe të krijohet një ambient kur të gjitha partitë opozitare barrikadohen dhe ankohen pse nuk ka marrëveshje politike, por kur atyre u ofrohet e njëjta, ato refuzojnë”.

I pyetur pse është propozuar emri i Dimal Bashës për ministër, kur ai veçse është kryetar Kuvendi, Murati ka thënë se emri i tij për pozitën e ministrit të Infrastrukturës ka qenë i vendosur qysh më herët.

“Por, neve na është imponuar, siç e dini, edhe unë kam qenë i propozuar për postin e kryetarit të Kuvendit, kanë qenë edhe ministret [Arbërie] Nagavci e [Donika] Gërvalla, kemi qenë të propozuar si alternativa në momentin kur opozita e bllokonte konstituimin e Kuvendit, duke refuzuar votën për kandidaten për një pozitë që me Kushtetutë na takonte neve”.

Memli Krasniqi: Albin Kurti nuk do të jetë më kryeministër i KosovësMemli Krasniqi.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë pas seancës se sot është vërtetuar që “Albin Kurti po e mban vendin peng”.

“Ky është fundi i një mashtrimi politik që vendit tonë këta muaj i ka kushtuar edhe me izolim, edhe me përçarje, edhe me humbje kohe. Albin Kurti nuk do të jetë më kryeministër i Kosovës. Nuk do të jetë më”.

Ai ka thënë se secila qeverisje e re pa Kurtin do të jetë e mirë për Kosovën.

Krasniqi ka thënë se nëse presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do ta thërrasë për ta pyetur nëse e ka shumicën për Qeverinë e re, ai do t’i thotë thjesht “jo”, sepse nuk duhet pasur më shumë vonesa dhe që Kosova duhet të shkojë në zgjedhje të reja.

Bajrami: Po shkojmë drejt zgjedhjeveHykmete Bajrami.

Hykmete Bajrami, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha se votimi në seancën e sotshme e ka dëshmuar që Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka pasur votat e nevojshme për të formuar një Qeveri të re, edhe pse këtë gjë e kishte thënë vazhdimisht.

Kur partitë nuk arrinin të pajtoheshin për postin e kryetarit të Kuvendit, përfaqësues të LVV-së thonin se ata s’kishin numra për këtë post, por i kishin votat e nevojshme për Qeveri të re.

“U vërtetua ajo që e kemi ditur që nga fillimi që LVV-ja, edhe pse fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, nuk i ka numrat për të formuar Qeverinë e re”, tha Bajrami.

Ajo shtoi se “ajo që ndodhi sot është që ne po shkojmë drejt procesit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme”.

Limaj: Hap i pamjaftueshëm, Basha s’duhet të ketë asnjë post publik

Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se propozimi i mandatarit Albin Kurti nuk mori përkrahjen e tre deputetëve të partisë së tij për shkak të Dimal Bashës.

Ai tha se deputetët e partisë së tij kanë abstenuar.

Basha, që aktualisht e ka postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, u propozua për postin e ministrit të Infrastrukturës dhe Transportit, duke lënë kështu të hapur postin e kryetarit të Kuvendit që në fillim e kishte synuar Limaj.

“Është hap i mirë, por i pamjaftueshëm. Dimal Basha nuk duhet të ketë asnjë post publik dhe ai duhet të japë dorëheqje sepse është dëm i madh për Kosovën”, tha Limaj, pas seancës.

Për Limajn, emri i Bashës në institucione është i papranueshëm, për shkak të përfshirjes së tij në një punim që flet kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

KDI: Zgjedhjet e parakohshme, zgjidhja më optimale

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) është shprehur i zhgënjyer nga dështimi i deputetëve të Kuvendit të Kosovës për të formuar Qeverinë e re, duke thënë se ky është një “zhvillim zhgënjyes pas kësaj krize të zvarritur institucionale”.

“Ky rezultat është pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së dialogut politik dhe e dështimit për të arritur marrëveshje që do të mundësonin funksionimin normal të institucioneve të vendit”, thuhet në reagimin e KDI-së të publikuar në rrjetin social Facebook.

Si pasojë e “bllokadës dhe polarizimit të thellë politik”, KDI-ja thotë se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme do të ishin zgjidhja më e mirë.

“Në këto rrethana, zgjedhjet e parakohshme parlamentare përfaqësojnë opsionin më të qëndrueshëm dhe më të besueshëm për t’i dhënë fund kësaj krize dhe për t’i rikthyer qytetarëve mundësinë për të përcaktuar drejtimin politik të vendit”, thuhet në reagim.

Megjithatë, ky institut theksoi se as zgjedhjet nuk garantojnë se do të formohen institucionet e reja, nëse nuk ka vullnet për konsensus politik dhe kompromis.

Çfarë mund të sjellin zgjedhjet e reja?

Ndonëse shumë pjesëtarë të shoqërisë civile e kanë kritikuar Kurtin, për siç kanë thënë, zvarritjen e procesit të formimit të Qeverisë me muaj, në anën tjetër ata nuk shohin ndryshim rezultati në rast se mbahen zgjedhjet e reja.

Njohës të zhvillimeve politike në Kosovë thonë se as në zgjedhjet e ardhshme nuk priten ndryshime të mëdha të rezultatit.

(Radio Evropa e Lirë)