Kurti ofron një plan për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës

Prishtinë, 13 qershor 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se të martën në mëngjes, në takimin me ambasadorët e QUINT-it (Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italisë) ka prezantuar një plan për uljen e tensioneve në veri të Kosovës. Ai tha se këtë plan ia ka prezantuar paraprakisht shefit të diplomacies evropiane, Josep Borell.

“Me Borrelin, dje, dhe me vendet partnere të QUINT-it, sot, e kam shprehur përkushtimin dhe angazhimin e plotë të Qeverisë për uljen e tensioneve në veri dhe për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, tha Kurti në knferencë për medie.

Ai tha se situata në veri nuk është normale për një kohë të gjatë, por ajo ka eskaluar pas 29 majit, kur grupe të serbëve që cilësohen si kriminale sulmuan pjesëtarët e KFOR-it, policët e Kosovës dhe gazetarët.

“Eskalimi më 29 maj e bën urgjente sjelljen para drejtësisë të të gjithë atyre që ushtruan dhunë ndaj Policisë së Kosovës, ushtarëve të NATO-s dhe juve gazetarëve”, u shpreh ai.

Kurti tha se plani i tij përfshin pesë masa për uljen e tensioneve:

  1. Sundimi i ligjit në katër komunat në veri, që nënkupton identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtareve të grupeve kriminale që kanë sulmuar Policinë, trupat e NATO-s dhe gazetarët;
  2. Grupet e dhunshme të tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës dhe ndalohet çdo akt kriminal kundër institucioneve të Kosovës;
  3. Policia e Kosovës, pjesëtarë të NATO-s dhe EULEX-i të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë, për të garantuar një ambient të sigurt dhe pa rreziqe për të gjithë;
  4. Qeveria e Kosovës të koordinohet me të gjithë akterët dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri;
  5. Kosova dhe Serbia t’i rikthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, dhe një takim i nivelit të lartë të mbahet gjatë kësaj jave.

Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe të shteteve të QUINT-it që u takuan me kryeministrin Kurti të martën nuk e komentuan planin e paraqitur prej tij.

Serbët në katër komunat veriore të Kosovës vazhdojnë protestat kundër ushtrimit të detyrave të tyre në ndërtesat komunave të kryetarëve shqiptarë të zgjedhur në zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët.

Diplomatët amerikanë dhe evropianë kërkojnë që Kosova të tërheqë kryetarët e komunave dhe njësitë speciale të policisë nga ndërtesat e komunave në veri, ndërsa Serbisë i kërkojnë të ulë shkallën e gatishmërisë së ushtrisë e të tërheqë njësitë ushtarake të vendosura në afërsi të kufirit me Kosovën, të ushtrojë ndikimin e saj për largimin e protestuesve dhe për të siguruar pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e reja në komunat veriore.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë thënë se palët do të përballen me pasoja, nëse dështojnë të përmbushin kërkesat për shtensionim të situatës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të hënën në mbrëmje se shkalla e gatishmërisë së ushtrisë ”tashmë është ulur”, por pranoi se në afërsi të kufirit me Kosovën ka ende “forca të mjaftueshme”. Ai tha se “tani është koha” që Kosova të fillojë procesin e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

(r.m.)