Kurti: Opozita e refuzoi ofertën tonë gjeneroze. S’është e interesuar për zhbllokimin e procesit

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), njëherësh kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, e akuzoi opozitën për bllokimin e procesit për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Të martën, ai tha se dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e ka refuzuar ofertën e tij “shumë gjeneroze”.

“Oferta jonë është shumë gjeneroze, por nuk janë të interesuar që të zhbllokojnë. Po sillen thuajse është viti 2025, kur, e mbani mend atë seancën kur nuk votohej Albulena Haxhiu. Ka kaluar viti 2025, është viti 2026”, tha ai.

Kurti tregoi edhe cila ishte ajo që ai e quajti “ofertë gjeneroze” për LDK-në.

“Unë nuk po them që opozita është e parëndësishme. Përkundrazi. Kam bërë ofertë gjeneroze. Kryetari i LDK-së mund të bëhet zëvendëskryeministër, zëvendësi im, dhe përveçse të jetë zëvendëskryeministër, njëkohësisht të jetë edhe ministër i Punëve të Jashtme, pra t’i kenë katër ministri edhe të jetë zëvendëskryeministër. Dhe, jo vetëm kaq, ose ta ketë versionin tjetër, nëse nuk i pëlqen të bashkëqeverisë, ta bëjmë rokadën ku Lumir Abdixhiku ose dikush tjetër i LDK-së bëhet kryetar Kuvendi”, tha Kurti.

Por, ai tha se nuk mund t’i jepet post politik ndonjë subjekti që nuk e ka mbështetjen e qytetarëve.

“Çka të bëj me rezultatin zgjedhor që më kanë dhënë 51.1 për qind? Ata nuk i kanë votat as për t’i mbledhur nënshkrimet për një kandidat. 22 deputetë të PDK-së nuk mjaftojnë as të aplikojnë”, tha ai.

“Qysh me ia dhënë unë [postin e Presidentit], kur s’ia ka dhënë populli?”, shtoi ai.

Kurti tha se subjektet politike kanë përgjegjësi për funksionlizimin e institucioneve shtetërore sipas forcës politike që buron nga vota e qytetarëve.

“Më 28 dhjetor i kemi mbajtur zgjedhjet. Po atë natë e kemi parë rezultatin. Kurrë s’ka qenë më i qartë. Këta 120 deputetë duhet t’i funksionalizojnë institucionet në plotëni. Kemi Kuvend, kemi Qeveri, duhet të kemi edhe President”, theksoi ai.

Kurti tha se partitë opozitare duhet ta pranojnë rezultatin e zgjedhjeve.

“Lëvizja Vetëvendosje i ka arritur 51.1 për qind të votës popullore dhe ky është një rezultat i paparë. Prandaj, në vitin 2026 duhet të sillemi në përputhje me këtë rezultat”, u shpreh Kurti.

Të hënën, Kurti u takua për herë të pestë me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për të diskutuar për një marrëveshje mbi çështjen e presidentit, por në takim nuk u arrit kurrfarë marrëveshjeje. Abdixhiku I cilësoi të papranueshme ofertën për përfshirjen e LDK-së në qeveri dhe atë që LDK ta ketë pozitën e kryetarit të Kuvendit.

Ndërkaq, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, i cili refuzoi të takohej me Kurtin, pasi Këshilli Drejtues i partisë e vlerësoi të pakuptimtë vazhdimin e procesit për çështjen e presidentit derisa LVV synon t’i ketë tri pozitat shtetërore kryesore të vendit. Hamza tha Kurti, përmes një komunikimi në WhatsApp, ia kishte ofruar postin e kryetarit të Kuvendit.

Sipas Kushtetutës, presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.

Prandaj, nevojitet një marrëveshje mes partive parlamentare për këtë çështje, duke qenë se asnjëra parti – madje as ajo në pushtet e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje me 57 deputetë – nuk e ka një numër kaq të madh deputetësh në Kuvendin me 120 vende.

Gjykata Kushtetues e Kosovës e obligoi Kuvendit që procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit ta përmbyllë deri më 28 prill. Në rast se ky proces nuk përmbyllet deri atë ditë, Kuvendi shpërndahet me automatizëm dhe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, të cilat duhet të mbvahen brenda 45 ditësh.

Prej 5 marsit, kur Vjosa Osmanit i përfundoi mandati i Presidentes, detyrën e Presidentit të vendit e ushtron kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu. Sipas kushtetutës, ajo e ushtron këtë detyrë deri në zgjedhjen e presidentit të ri, por më së largu 6 muaj.

(r.m.)

Comment

*