Prishtinë, 24 qershor 2025 – Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se opozita është duke ia zgjatur mandatin qeverisë së tij.
“E dini që unë kam hyrë në çerekun e dytë të vitit të pestë të mandatit të plotë. Çdo opozitë demokratike përpiqet t’ia shkurtojë mandatin qeverisë, përveç opozitës kosovare, e cila, siç jeni dëshmitarë të gjithë ju, po e zgjat mandatin e qeverisë Kurti”, ka deklaruar ai, pas vendosjes solemne të gurthemelit të depos së re të barnave, në Fushë-Kosovë.
“Dikush edhe mund të mendojë se kemi marrëveshje. Pra, ne, si qeveri në detyrë, kemi marrëveshje me opozitën aktuale që të qëndrojmë sa më shumë në pushtet. Por, ju siguroj që kjo nuk është e vërtetë”, ka shtuar ai.
Kurti ka thënë se nuk e kupton përse partitë opozitare, me bojkotimin e procesit të votimit, po e vonojnë konstituimin e Kuvendit.
“Nuk kam shpjegim për këtë sjellje nëpër të cilën po kalojnë institucionet e Kosovës”, ka theksuar ai.
Sipas tij, Lëvizja Vetqëvendosje angazhohet për formim sa më të shpejtë të qeverisë së re.
“Ne, në bazë të nenit 31 të Ligjit për Qeverinë, kemi më pak kompetenca, por kemi njësoj shumë punë. Sa më herët që e konstituojmë Kuvendin, duke e formuar me votim të fshehtë kryesinë e Kuvendit, aq më shpejt do të jemi edhe te qeveria e re”, ka theksuar Kurti.
Të dielën, në Kuvendin e Kosovës ka dështuar për herë të 36 votimi për vazhdimin e procesit të konstituimit të legjislaturës së nëntë. Propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje për votim të fshehtë për kandidaten e saj për kryetare të Kuvendit, Albulena Hadhiun, dështoi për herë të 27-të, pasi deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së nuk morën pjesë në votim, kurse deputetët e Listës Serbe nuk morën pjesë fare në seancë.
(r.m.)