Kurti: Padrejtësia ndaj pensionistëve mori fund

Prishtinë, 27 korrik 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë jehonë miratimit të Ligjit për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti përmes së cilës shtohet një skemë e re pensionale, ajo e pensionit parcial kontributpagues.

“Padrejtësia ndaj pensionistëve që u larguan dhunshëm nga puna në vitet e ‘90-ta, mori fund sot”, ka shkruar ai në Facebook.

“Reth 70 mijë pensionistë të cilët po të mos ishin larguar dhunshëm nga puna në vitet e ‘90-ta do të arrinin kushtin prej 15 vitesh kontribut deri më 01.01.1999. Tani e tutje, ata, do të marrin pensionin parcial kontributpagues”, ka shtuar ai.

Kurti ka paralajmëruar se së shpejti do të procedohet në Kuvend për miratim “reforma e plotë pensionale së bashku me reformën sociale”.

“Mbetemi të përkushtuar për krijimin e një sistemi pensional të barabartë për të gjithë dhe ngritje të mirëqenies sociale. Hapi tjetër do të jetë reforma e plotë pensionale së bashku me reformën sociale, për të cilat kemi filluar punën. Shumë shpejt do t’i dërgojmë në Kuvend këto projektligje për të bërë ndryshimet e nevojshme ligjore”, ka shkruar ai.

Ligji për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti u miratua me procedurë të shpejtë nga Kuvendi i Kosovës, të enjten në mbrëmje.

Për të hyrë në fuqi, projektligji pas miratimit në Kuvend duhet të nënshkruhet nga presidentja e vendit.

Ligjit për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti u hartua dhe miratua me aktvendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila e kishte shpallur jokushtetues Ligjin për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti që ka qenë në  fuqi deri më tani.

Gjykata kishte caktuar 15 korrikun si datë të fundit për miratimin e ligjit të ri.

(r.m.)