Prishtinë, 27 tetor 2025 – Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se vendi mund të përballet me zgjedhje parlamentare dy herë brenda muajsh, një ditë pasi dështoi ta fitojë mbështetjen e nevojshme në Kuvend për mandatin e tretë.
Duke folur në një konferencë për media në Prishtinë, Kurti tha çështja e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit në pranverë mund ta çojë vendin përsëri në zgjedhje.
“Mbase është për të ardhur keq që do të mundë të kemi, përveç balotazhit [të zgjedhjeve lokale në nëntor], dhe dy herë zgjedhje. Edhe zgjedhje në dimër, edhe zgjedhje në pranverë”, tha Kurti në një konferencë për media në Prishtinë.
Presidentes Vjosa Osmani i mbaron mandati në prill të vitit 2026.
“Sepse, kur nuk arritëm t’i bëjmë 61 deputetë për një qeveri të re, atëherë është vështirë e imagjinueshme që do t’i bëjmë kollaj 80 deputetë në pranverën e vitit të ardhshëm dhe i kemi edhe katër muaj deri në zgjedhjen e presidentit”, theksoi ai.
Presidenti zgjidhet me dy të tretat e votave të 120 deputetëve sa i ka gjithsej Kuvendi. Në rast se kandidati nuk i merr këto vota në dy rundet e para, në rundin e tretë zgjidhet me votat e gjysmës së deputetëve.
Në rast se nuk zgjidhet as në rundin e tretë, atëherë Kuvendi shpërndahet dhe shpallen zgjedhjet e reja.
Vetëm 56 deputetë votuan për kabinetin e propozuar nga Kurti në seancën e së dielës, pra pesë më pak se 61 votat e nevojshme. Pesëdhjetë e dy votuan kundër, ndërsa katër abstenuan.
Tani, sipas Kushtetutës së Kosovës, i takon presidentes Vjosa Osmani ta caktojë një mandatar tjetër për formimin e Qeverisë brenda 10 ditësh.
Por, lideri i partisë së dytë më të votuar, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqin, hodhi poshtë mundësinë që të bëhet mandatar i radhës, në rast se presidentja e Kosovës do ta thërrasë për ta pyetur nëse e ka shumicën.
Kurti theksoi se, pas votimit të së dielës, “nuk ka rrugë apo mënyrë tjetër, përveç se drejt zgjedhjeve të reja. Nuk ka qenë preferenca jonë”.
Osmani pritet t’i ftojë brenda 10 ditësh paritë parlamentare për konsultime dhe të vendosë për mandatarin që ka shanset më të mëdha për të formuar Qeverinë.
Nëse as pas përpjekjes së dytë Qeveria nuk mund të formohet, presidentja, sipas Kushtetutës, duhet të shpallë zgjedhje të reja, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditësh.
Njohësit e zhvillimeve politike thonë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mund të sillnin ndryshime në rezultatet e partive, por ato ndryshime nuk do të ishin të mjaftueshme, aq sa partitë të shmangnin nevojën për bashkëqeverisje në të ardhmen.