Prishtinë, 31 dhjetor 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ditë më parë ka bërë të ditur se synon të kandidojë sërish për postin e presidentes së vendit. Lidhur me këtë temë sot u deklarua edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Ai u pyet nëse e mbështet zgjedhjen e Vjosa Osmanit president edhe për një mandat tjetër, por ai as nuk e pohoi dhe as nuk e mohoi. Në përpjekje për të shmangur përgjigjen, ai tha se për këtë temë do të diskutohet pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë së re.
“Ne së pari do të presim certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve, duhet të konstituohet kuvendi dhe të shohim përbërjen e legjislaturës së 10-të. Pra, duhet të shohim përbërjen e legjislaturës së 10-të dhe pastaj të ecim tutje”, deklaroi Kurti.
Por, ai e la të hapur mundësinë që partia e tij ta mbështesë Osmanin edhe një mandat presidencial. Madje paralajmëroi se së shpejti do të takohet me zonjën Osmani për të diskutuar për këtë temë.
“Sot është dita e fundit e vitit 2025 dhe shpejt do ta takohem me presidenten Osmani. Duhet të bisedojmë njëherë bashkë për rrugën përpara. Por, ju e keni parasysh njëherë është konstituimi i Kuvendit, pastaj formimi i qeverisë dhe vetëm më pas është zgjedhja e presidentes ose presidentit”, tha ai.
Kurti u pyet edhe për mundësinë e bashkëpunimit të Lëvizjes Vetëvendosje me ndonjë parti tjetër politike në mandatin e ardhshëm qeverisës. Ai nuk dha një përgjigje eksplicite lidhur me këtë temë, duke theksuar se Lëvizja Vetëvendosje tani nuk ka pengesa për formimin e qeverisë.
“Nuk kam ndonjë gjë të re për të thënë. Rrezultati është më i qartë se asnjëherë më parë. Ne kemi pritur që do ta tejkalojmë rezultatin e 9 shkurtit sivjet, por duket që po e tejkalojmë edhe rezultatin e 14 shkurtit të vitit 2021. Bllokimet në konstituimin e Kuvendit dhe pengesat për formim të qeverisë së re tashmë janë inekzistente”, deklaroi Kurti.
(r.m.)