Kurti përfundon vizitën në Britani: Jemi me fat që në Westminster kemi shumë miq

Londër, 27 qershor 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka përfunduar vizitën e tretë zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar.

Në një shënim në Facebook, Kurti shkruan se gjatë dy ditëve të qëndrimit në Britani, ai është mirëpritur “ngrohtësisht nga aleatë dhe partnerë të Kosovës në Qeverinë dhe në Parlamentin britanik”.

Ai tregon se me Sekretarin e Punëve të Jashtme, James Cleverly, ka biseduar edhe për rëndësinë e shtensionimit të situatës në katër komunat veriore të Kosovës.

“Me Sekretarin e Punëve të Jashtme, James Cleverly, me të cilin jam në kontakt e komunikim të rregullt, diskutuam për marrëdhëniet dypalëshe, për zhvillimet në Kosovë dhe për rëndësinë e shtensionimit të plotë të situatës në katër komunat në veri të vendit. Republika e Kosovës është përherë mirënjohëse për mbështetjen e palëkundur e të pandërprerë të Mbretërisë së Bashkuar”, shkruan ai.

Kurti tregon se folur për situatën në veri të Kosovës ka biseduar edhe me Kryetaren e Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, Alicia Kearns, e cila është një mike e madhe e Kosovës.

“Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, Alicia Kearns ka qenë një zë i fuqishëm mbështetës i Republikës sonë në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar. Me të diskutuam për veprimet agresive dhe sulmet e sponsorizuara nga Serbia mbi KFOR-in, Policinë e Kosovës dhe gazetarët në veri të vendit dhe qëndrimin tonë parimor e demokratik për depërshkalëzim që në qendër ka sundimin e ligjit’, shkruan Kurti.

Ai tregon se gjatë vizitës në Britani ka pasur takime me deputetë të të gjitha partive paralamentare.

“Jemi me fat që në Pallatin e Westminster kemi shumë miq. Atje u takova me deputetë të Grupeve Parlamentare të Mbretërisë së Bashkuar, APPG (All Party Parliamentary Group), konservatorë, liberal-demokratë e laburistë”.

Ndwrkaq, në Partinë Laburiste, në opozitë, Kurti tregon se ka pasur një takim të veçantë me Sekretarin në hije të Punëve të Jashtme, David Lammy, dhe me Ministrin në hije për Evropë, Stephen Doughty.

Kryeministri Kurti tregon se është gtakuar edhe me ish-kryeministrin Tony Blair, të cilin e cilëson si mik të madh të Kosovës.

“E miq laburistë kemi edhe jashtë institucioneve por që ishin kyç aq sa i drejtonin ato. Republika e Kosova dhe populli i saj i janë përherë mirënjohës ish-kryeministrit britanik, Tony Blair, për rolin dhe vendosmërinë e tij për ndërhyrjen humanitare në Kosovë, e cila ndali përfundimisht gjenocidin e shtetit serb mbi shqiptarët vendas. Në takimin miqësor që patëm e njoftova për arritjet e Kosovës në rrafshin ekonomik, social, të drejtave të njeriut dhe institucional, duke ndarë me të bindjen që Kosova është histori e etabluar e suksesit të dyfishtë: intervenimit të NATO-s dhe i bashkëdyzimit të progresit ekonomik dhe atij demokratik”, shkruan Kurti.

Ai bën të ditur se sapo të kthehet në Kosovë do të takohet me tre policët që ishin rrëmbyer nga forcat serbe.

“Gjatë qëndrimit tim në Londër, morëm lajmin e gëzueshëm për lirimin e tre policëve të Kosovës që ishin rrëmbyer nga forcat speciale ushtarake e policore të Serbisë me 14 qershor. 13 ditë pasi ata janë në Kosovë e me familjet e tyre. Nesër do t’i takoj për t’i falënderuar për qëndresën dhe për t’u uruar mirëseardhje”, shkruan Kurti.

(r.m.)