Prishtinë, 4 nëntor 2026 – Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se pozita e Kosovës e procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian nuk e pasqyron progresin që e ka bërë ajo si shtet.
“Nuk mund ta lëmë pa e thënë se pozita e Kosovës në procesin e anëtarësimit nuk e pasyqron progresin që e kemi bërë. Siç e kemi theksuar në të gjitha takimet dhe vizitat, në të gjitha nivelet dhe rastet ku na është dhënë mundësia … Kosova meriton të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim dhe të fillojë negociata sa më shpëjt që të jetë e mundur”, është shprehur Kurti, në konferencën e përbashkët për medie me ambasadorin e BE-së në Kosovë, Dirk Schuebel, pas pranimit të Raportit të Progresit për Kosovën të Komisionit Evropian.
Ai ka thënë se Kosova ende mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa statusin e vendit kandidat për anëtarësim nӕ BE, ndonëse aplikimin për anëtarësim e ka dorëzuar para 4 vjetësh.
“Përveç përkrahjes politike nga Komisioni Evropian për të nisur procesin teknik, ende nuk ka pasur ndonjë lëvizje nga shtetet anëtare dhe institucionet e BE-së për t’i dhënë Komisionit mandatin politik për të nisur këtë proces”, ka deklaruar Kurti.
Kurti ka thënë se Kosova meriton të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim dhe të fillojë negociata sa më shpejt që të jetë e mundur. Ai i ka kërkuar ambasadorit Schuebel që sa më parë Kosovës t’i dorëzohet pyetësori rreth aplikimit, në mënyrë që të hapet rruga për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim.
“Tani që kemi institucione stabile dhe funksionim demokratik, kemi përshpejtuar dinamiken e reformave për integrim në BE, në veçanti të reformave prioritare të Planit të Rritjes. Më lejoni të ritheksoj përkushtimin tonë si Qeveri dhe si shoqëri për anëtarësim të plotë të Kosovës në BE”, është shprehur Kurti.
Kurti ka theksuar se integrimi në BE mbetet prioritet strategjik afatgjatë i Qeverisë së Kosovës. Ai ka theksuar gjithashtu se përkushtimi për anëtarësim gëzon mbështetje te popullsia dhe ka konsensus të gjerë ndërpartiak.
Schuebel: BE-ja është krah jush, të vazhdohet me punën drejt synimit të përbashkët
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadori Dirk Schuebel, ka thënë se Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për Kosovën përfshin periudhën 1 shtator 2025 – 1 shtator 2026, kur Kosova ishte në ngërç institucional. Ai ka thënë se është logjike që ritmi i reformave në këtë periudhë të ishte i ngadalshëm, gjë që u reflektua në raportin e KE.
Schuebel ka thënë se në raport shihet se edhe në vitet e vështira, progresi është i mundur. Ai ka përmendur si gjëra pozitive organizimin e zgjedhjeve të lira, paqësore dhe gjithëpërfshirëse. Po ashtu avancimin e nivelit të përgatitjes në luftë kundër krimit të organizuar. Po ashtu përmendi reformat në administratë publike, liri dhe siguri e lirinë e lëvizjes së kapitalit.
Ambasadori i BE-së ka thënë se raporti tregon se në gjyqësor dhe të drejtat themelore në është bërë progres domethënës. Ai ka thënë se duhet të bëhen reforma në drejtësi dhe se po punohet ngushtë me Ministrinë e Drejtësisë për t’u bërë kjo.
Schuebel ka përmendur edhe çështjen e Dhomave të Specializuara.
“Mandati i Dhomave të Specializuara, që është aktualisht në fuqi, duhet respektuar, në linjë me obligimte ndërkombëtare dhe respektimin e plotë të pavarësisë së gjyqësorit dhe sundimit të ligjit”, ka thënë ai.
Schuebel ka thënë se në Kosovë duhet të përmirësohet edhe liria e shprehjes. Në këtë konekst, ai theksoi nevojën për përditësimin e kornizës legjislative lidhur me mediet, përfshirë ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe ligjin për RTK-në.
Ambasadori i BE-së ka thënë se Kosova duhet të forcojë luftën kundër korrupsionit dhe adoptimin e strategjisë kundë korrupsion me standardet evropiane.
Ai ka thënë se Kosova duhet të linjëzohet më shumë me rregullat e BE-së edhe sa i përket mjedisit, ndryshimeve klimatike, agrokulturës dhe sigurisë së ushqimit.
“Këto nuk janë vetëm kërkesa të BE-së, por themele të një shoqërie prosperuese”, ka theksuar ai.
Schuebel e ka vlerësuar pozitivisht harmonizimin e plotë të politikës së jashtme të Kosovës me politikën e jashtme të BE-së.
“Kjo tregon përkushtimin tuaj për vlerat evropiane”, është shprehur ai.
Schuebel ka folur edhe për dialogun Kosovë – Serbi. Ai ka thënë se zbatimi i të gjitha obligimeve që burojnë nga dialogu është pjesë integrale e rrugës evropiane të Kosovës.
“Kemi dinamikë të re rajonale, ta shfrytëzojë Kosova këtë”, ka thënë ai, duke theksuar se BE-ja “është në anën e Kosovës dhe përkrah angazhimin e saj për të punuar drejt synimit të përbashkët”.
Schuebel ka thënë se BE-ja e trajton Kosovën si të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Ndërsa ka shprehur optimizëm se Kosova mund të ecë para për t’iu afruar synimit për t’u bërë shtet kandidat.
“Një Kosovë stabile, multietnike e prosperuese e ka vendin në BE”, ka thënë ai.
(r.m.)