Kurti: Pres që takimi në Bruksel të përqendrohet në propozimin evropian dhe jo në interesin e njërës palë

Prishtinë, 21 shkurt 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të martën se pret që takimi i 27 shkurtit në Bruksel me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, të përqendrohet në propozimin evropian dhe jo në interesin e njërës pale., duke iu referuar Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Javën e kaluar shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se ka një takim të nivelit të lartë politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të diskutuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre në bazë të propozimit evropian.

“Janë pesë fjali të preambulës, dhjetë nene gjithsej dhe unë besoj që duhet t’i përmbahemi propozimit që kemi marrë e jo interesit të njërës palë”, tha të martën në Prishtinë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri Kurti tha se tash për tash nuk mund të jap më shumë hollësi rreth takimit, por theksoi se propozimi evropian është “platformë solide” për të ecur përpara.

“Ne presim që edhe të ketë diskutime të mëtutjeshme edhe të ecim përpara mbi bazën e atij propozimi. Mirëpo, për gjëra të tjera nuk mund të flasim tani edhe për shkak se jo pak varet nga ndërmjetësit. Pra, pas ditës së hënë do të mund të dimë më shumë se çka e kur”, tha ai.

Në janar të dërguarit e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Gjermanisë, Francës dhe Italisë u takuan me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë për t’i bindur ata që të nënshkruajnë një marrëveshje në bazë të propozimit ndërsa u thanë se duhet të deklarojnë deri në mars nëse e pranojnë planin ose do të përballen me pasoja.

Trysnia për propozimin është shtuar mes frikës së perëndimit se Rusia mund të përpiqet të shfrytëzojë tensionet ndërmjet palëve për të nxitur destabilizim në Ballkan në përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga agresioni i saj në Ukrainë.

Udhëheqësit e të dyja vendeve thanë se e pranojnë në parim propozimin evropian të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara i cili nuk parasheh njohjen e ndërsjellë ndërmjet të dyja vendeve por zotimin e palëve se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese.

Ndërsa vazhdojnë përpjekjet për të siguruar një marrëveshje, diplomacia perëndimore ka shtuar trysninë mbi Prishtinën për të zbatuar një marrëveshje të vitit 2013 për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe.

Prishtina ka hezituar të zbatojë marrëveshjen nga frika se Asociacioni mund të shndërrohet në një shtet brenda shtetit, ngjashëm me Republikën Serbe në Bosnje, megjithëse Shtetet e Bashkuara e kanë siguruar atë se kjo nuk do të ndodhë.

(Zëri i Amerikës)