Kurti: Qeveria do të adresojë të gjitha shqetësimet që bien në kompetencat e saj

Prishtinë, 14 mars 2024 – Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka konfirmuar se rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës që e ndalon përdorimin e dinarit serb në operacionet me para të gatshme në Kosovë ka qenë një ndër temat kryesore në takimin e kryeministrit Kurti me emisarin e SXhteteve të Bashkuara të Amerikësn për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të premten.

Në njoftim thuhet se Kryeministri Kurti “ofroi bashkëpunimin në adresimin e shpejtë të të gjitha shqetësimeve që bien në kompetencat e qeverisë”.

“Në lidhje me rregulloren e Bankës Qendrore, Kryeministri pati diskutim përmbajtjesor, të fokusuar në adresimin e shqetësimeve të përbashkëta. Ai tha se vendimi i Bankës Qendrore është vendim i një institucioni të pavarur dhe profesional. Për shkak të ndikimit të rregullores në komunitetin serb të Kosovës, qeveria ka bërë veprime për të siguruar që tranzicioni të jetë i shpejtë dhe i lehtë për qytetarët e Kosovës nga komuniteti serb. Në këtë drejtim kryeministri theksoi edhe propozimet që janë prezantuar për periudhën tranzitore dhe ofroi bashkëpunimin në adresimin e shpejtë të të gjitha shqetësimeve që bien në kompetencat e qeverisë”, thuhet në njoftim.

Edhe Kurti vetë, një postim në platformën X, e ka shprehur gatishmërinë për ta adresuar çështjen e dinarit serb, ndonëse në krye e ka shtruar nevojën që Serbisë t’i kërkohet llogari për sulmin e grupit të armatosur serb në Banjskë të Zveçanit.

“E falënderova për mbështetjen e SHBA-së dhe e theksova nevojën që Serbisë t’i kërkohet llogari për sulmin në Banjskë. Po ashtu e informova për hapat që i ka ndërmarrë Qeveria jonë në mbështetje të tranzicionit të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës dhe gatishmërinë tonë për të adresuar çështjet në të ardhmen”, ka shkruar Kurti.

Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, e ka cilësuar si çështje emergjente humanitare efektin që ka prodhuar Rregullorja e BQK-së mbi operacionet me para të gatshme, e cila e ndalon përdorimin e dinarit serb. Ai ka thënë se kjo çështje duhet të adresohet pa vonesë.

Escobar ka thënë se kryeministrit Kurti ia ka paraqitur disa propozime për zgjidhjen e problemit dhe se nga Kurti ka marrë poremtimin e so t’i shqyrtojë disa prej këtyre propozimeve.

“Kryeministri e pranoi këtë dhe më premtoi se do t’i shikonte disa nga propozimet që ia paraqita sot”, ka thënë Escobar, pas takimit gati dy orësh me Kurtin.

(r.m.)