Kurti: Qeveria e Serbisë nuk ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës marrëveshje për zgjedhjet serbe në Kosovë

Prishtinë, 23 mars 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e tij nuk ka marrë vendim lidhur me hapjen e vendvotimeve për zgjedhjet parlamentare e presidenciale të Serbisë në territorin e Kosovës, më 3 prill.

Ai ka thënë se ka kërkuar që Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Serbisë të arrijnë një marrëveshje për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.

“Nuk do të thosha që Qeveria ka marrë vendim për mosmbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, por e vërteta është se nuk ka marrëveshje paraprake, gjë që, natyrisht, paraqet kushtin për mbajtjen e atyre zgjedhjeve e i cili kusht nuk është plotësuar. Ne kemi pritur shkëmbim normal të letrave të kërkesës së tyre, të trajtimit tonë, por kjo nuk ka ndodhur”, ka thënë Kurti të mërkurën, në një konferencë për medie.

Kurti ka konfirmuar se ai nuk ka pranuar që një marrëveshje për zgjedhjet të arrihet përmes zyrtarëve ndërlidhës të të dy vendeve.

“Unë jam i bindur që marrëveshja duhet të bëhet përmes shkëmbimit të letrave mes Qeverisë së Serbisë dhe Qeverisë së Kosovës. Ne jemi instancat, autoritetet, e vendeve përkatëse të cilat do të duhet të merreshin vesh në mënyrë që të zhvilloheshin ato zgjedhje. Kështu siç është, çështja ka marrë një kahje tjetër. Ne kemi shprehur keqardhjen tonë. Më shumë se kaq nuk kam çfarë të them”, është shprehur ai.

Kurti i ka komentuar edhe paralajmërimet se serbët e Kosovës do të protestojnë kundër vendimit që në territorin e Kosovës të mos lejohet hapja e vendvotimeve për zgjedhjet e Serbisë. Ai ka thënë se në situatën aktuale protestat nuk janë “rruga e duhur” dhe ka theksuar se ai është i hapur për të dëgjuar dhe adresuar të gjitha shkeljet eventuale të të drejtave të qytetarëve të Kosovës.

“U bëj thirrje qytetarëve serbë të Kosovës që të mos organizojnë dhe të mos marrin pjesë në protesta të tilla. (…) Në rrethanat politike, gjeopolitike e të sigurisë në të cilat ndodhemi, protestat nuk janë rrugë e duhur për të ecur përpara. Zyra ime është e hapur për të gjitha ankesat, për çfarëdo shkelje të të drejtave”, ka theksuar ai.

Protesta e serbëve kundër moslejimit të mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës ka paralajmëruar nënkryetari i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq, të martën në mbrëmje, në Beograd. Në konferencën e përbashkët për medie me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Jevtiq ka thënë se serbët e Kosovës do të protestojnë të premten kundër, siç është shprehur, “shkeljes  së të drejtës” së serbëve për të votuar.

(r.m.)