Prishtinë, 29 maj 2025 – Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ndaj protestës së paralajmëruar të disa bizneseve të mëdha kundër liberalizimit të tregut të energjisë elektrike që pritet të hyjë në fuqi më 1 qershor.
Qindra biznese, të cilat thonë se do të goditen nga liberalizimi i tregut të energjisë elektrike, kanë paralajmëruar se do të bllokojnë për dy orë hyrjet kryesore të Prishtinës.
Kurti ka thënë se nga vendimi për të dalë në treg të hapur preken 1200 ndërmarrje apo 1 për qind e të gjitha ndërmarrjeve në Kosovë.
“300 prej tyre si prodhuese dhe shpenzuese më të mëdha, preken më së shumti, por duhet theksuar se ky proces nuk është i befasishëm”, ka thënë Kurti, në mbledhjen e Qeverisë në detyrë të enjten.
Ai ka thënë se ligji për energjinë elektrike është miratuar që në vitin 2016, ndërsa faza e parë e liberalizimit ka nisur më 2017. Sipas tij, faza e dytë është shtyrë disa herë në këto tetë vjet, për t’u dhënë bizneseve kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur.
Kryeministri në detyrë ka theksuar se ndërmarrjet kanë përfituar tarifa të rregulluara dhe subvencione në vlerë prej 26 milionë eurosh, ndërsa qeveria i ka mbështetur edhe gjatë pandemisë dhe krizës energjetike.
Kurti e ka kritikuar Odën Ekonomike të Kosovës për rolin e saj në organizimin e bllokadës së paralajmëruar të hyrje-daljeve të Prishtinës.
“Oda Ekonomike që duhej t’u qëndronte pranë bizneseve për t’u përballur me realitetin e ri, sot po tenton të bllokojë rrugët magjistrale me kërkesën për shtyrje. Por, ajo çka nuk po tregon Oda Ekonomike është se kërkesa e tyre për një vit shtyrje nuk e zgjidh problemin, por vetëm e bart koston e energjisë te fatura e secilit prej jush”, është shprehur ai.
Kurti u ka bërë thirrje bizneseve që të “reflektojnë”, duke paralajmëruar se qeveria nuk do të lejojë vendosjen e “barrikadave”.
“Nuk mund të mbrojmë 1 për qind të bizneseve në kurriz të 99 për qind. Koha e barrikadave ka kaluar. I kemi hequr kudo ku kanë qenë dhe nuk do të lejojmë të vendosen të reja. U bëjmë thirrje bizneseve të mendojnë në mënyrë të mençur dhe ne do t’i mbështesim”, ka deklaruar ai.
Oda Ekonomike e Kosovës thotë se, me liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, bizneset e mëdha nuk do të përfitojnë më nga tarifat e rregulluara, por do të detyrohen të sigurojnë furnizim përmes tregut të hapur.
(r.m.)