Kurti: Riafirmuam përkushtimin tone për anëtarësim në BE

Prishtinë, 16 tetor 2025 – Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të enjten se në takimin me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të mërkurën, ka riafirmuar përkushtimi i Kosovës për anëtarësim në BE.

“Ishte kënaqësi e madhe ta mirëpres Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Kosovë dje, ku ndër të tjera, riafirmuam përkushtimin tonë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian – një qëllim që pasqyrohet edhe në forcimin e demokracisë sonë dhe në rritjen e ekonomisë, veçanërisht gjatë katër viteve e gjysmë të fundit,” ka shkruar Kurti në plaftformën X të enjten.

Ai ka bërë të ditur se me presidenten Von der Leyen kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian në disa fusha me rëndësi.

“Diskutuam gjithashtu për forcimin e bashkëpunimit tonë, veçanërisht në fushat e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, mbrojtjes dhe bujqësisë, të cilat paraqesin potencial të madh për të dyja palët. Presim të punojmë ngushtë së bashku për të arritur objektivat tona të përbashkëta,” ka shkruar Kurti.

Ai ka thënë se Kosova mbetet e përkushtuar të punojë ngushtë me Bashkimin Evropian “në realizimin e objektivave të përbashkëta”.

(r.m.)