Kurti: Serbia po ushtron persion të paparë ndaj serbëve në Kosovë për ta votuar Listën Serbe

Prishtinë, 20 maj 2026 – Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka deklaruar se serbët e Kosovës po përballen me trysni dhe kërcënime të papara për t’u orientuar politikisht drejt Listës Serbe.

Në një konferencë për shtyp, Kurti ka thënë se shantazhi nga Beogradi për votuesit serbë në Kosovë ka marrë përmasa alarmuese.

“Kurrë nuk ka pasur kaq shumë trysni nga Beogradi, kërcënime, shantazhe, shkëputje të mjeteve të ndryshme financiare ose çfarëdo mbështetje që kanë marrë nga Serbia ndonjëherë me kushtëzimin që të rreshtohen thu se bëhet fjalë për ushtri në kohë lufte në radhët e Listës Serbe”, ka thënë Kurti, duke folur për arrestimin e shtatë serbëve të dyshuar për kërcënim të votuesve serbë.

“Këtë lloj terrori që po e bën Beogradi e kemi të dëshmuar nga ankesat e serbëve të Kosovës. Është fenomen që ka marrë përmasa të mëdha dhe të thella si asnjëherë më parë në këto vite sa jam kryeministër”, ka shtuar ai.

Kurti ka theksuar se Serbia synon të krijojë “dualizma shtetërorë” brenda Kosovës dhe të ndikojë në funksionimin e institucioneve të Kosovës, gjë që përbën vepër të dënueshme.

“Serbia vazhdimisht mundohet të ketë elemente të saj, përmes së cilave dëshiron të krijojë dualizma shtetërorë brenda territorit tonë sa i përket funksionimit të institucioneve, shërbimeve publike. Ato janë veprime ilegale në shtetin tonë të pavarur. Republika jonë i ka pushtetet e ndara, ne jemi ekzekutivi, legjislativi nuk është funksional, por gjyqësori e prokuroria vendosin në mënyrë të pavarur”, është shprehur Kurti.

Kryeministri në detyrë ka thënë se sistemi i drejtësisë është i pavarur, por qeveria i mbështet institucionet e drejtësisë të mbrojë rendin dhe ligjin. Ai ka theksuar se arrestimi i personave të dyshuar për kërcënim të votuesve nuk ka të bëjë fare me përkatësinë etnike të tyre.

“E kanë mbështetjen e plotë të qeverisë për ta mbrojtur sundimin e ligjit dhe zbatimin e tij të plotë pa dallim. S’ka të bëjë me etninë e asnjë qytetari që ndalohet, kjo ka të bëjë me dyshimet mbi veprime e tyre”, ka theksuar Kurti.

Arrestimi i shtatë serbëve u bë pasi ministri në detyrë në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, e akuzoi Listën Serbe se po ushtron presion ndaj mbështetësve të tij, duke i kërcënuar e shantazhuar.

Në mbledhjen e Qeverisë në detyrë të Kosovës, më 14 maj, Rashiq deklaroi se rreth 20 persona që e mbështesin atë janë larguar nga puna dhe se në periudhën e ardhshme pritet që vendime për largim nga puna të marrin edhe rreth 40 persona të tjerë vetëm në territorin e komunës së Graçanicës.

Rashiq tha se simpatizantët dhe anëtarët e partisë së tij po ndalohen në pikat kufitare me Serbinë nga Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA), ku po pyeten se për kë do të votojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit në Kosovë.

Beogradi zyrtar ka reaguar ashpër ndaj arrestimit të shtatë serbëve të dyshuar për kërcënim e shantazh të votuesve serbë në Kosovë.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka cilësuar si “rrëmbim të paligjshëm dhe të pabazuar” arrestimin e gjashtë drejtorëve të institucioneve paralele serbe në Kosovë. Ai e ka akuzuar Kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, se po përpiqet t’i shtyjë votuesit serbë në Kosovë të të votojnë për Rashiqin.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daqiq, edhe u është kërcënuar autoriteteve që kanë urdhëruar arrestimin e tyre, si edhe zbatuesit e urdhëresës. Ai ka thënë se ata “do të ndiqen dhe sanksionohen në përputhje me ligjet e Republikës së Serbisë”.

 Radio Evropa e Lirë raportoi se në disa vendime për largim nga puna në institucionet paralele të Serbisë në Kosovë thuhet se ata i kanë shprehur publikisht bindjet e tyre politike, në kundërshtim me “interesat për të cilat përcaktohet popullsia serbe në Kosovë, e cila jeton në sistemin institucional që nuk e njeh Republika e Serbisë”.

(r.m.)

Comment

*