Prishtinë, 13 tetor 2026 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia nuk ia ka dorëzuar Kosovës dokumentacionin kadastral, pavarësisht marrëveshjes së arritur në vitin 2011.
Në fjalimin që e ka mbajtur në ceremoninë përmbyllëse të projektit PIAKOS, të organizuar nga ATRC dhe Banka Botërore, Kurti ka thënë se Serbia nuk ka dorëzuar asnjë kopje të dokumentacionit.
“Janë bërë më shumë se 15 vjet që Serbia nuk na ka dorëzuar dokumentacionin kadastral, edhe pse marrëveshja ndërshtetërore është nënshkruar me datë 2 shtator 2011. Pra, në muajin e kaluar janë bërë 15 vjet që Bashkimi Evropian ia ka dhënë [Serbisë] 2 milionë euro donacion, por ajo s’na e ka dorëzuar as kopjen e dokumentacionit kadastral, e le më origjinalin”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë se institucionet e Kosovës dhe shoqëria civile po vazhdojnë bashkëpunimin për përmirësimin e shërbimeve kadastrale dhe për zgjidhjen e problemeve pronësore të qytetarëve. Ai ka thënë se dokumentacioni pronësor është thelbësor për sigurinë juridike, mirëqenien dhe dinjitetin e familjeve.
“Dokumentacioni është garantues i sigurisë juridike, që është parakusht për sigurinë e shtëpisë, banesës, e po ashtu edhe të mirëqenies dhe dinjitetit të një familjeje. Banesa është e drejtë e njeriut dhe nuk mund të kuptohet jeta cilësore pa banim të sigurt”, ka thënë ai.
Kurti ka theksuar se rregullimi i dokumentacionit pronësor nuk është vetëm çështje administrative, por edhe kusht për qasjen në mbështetjen publike, përfshirë programet e renovimit dhe rindërtimit të shtëpive, si dhe banimin social.
“Mund të duket si çështje administrative, por për një person apo familje, rregullimi i dokumentacionit të pronës është parakusht kryesor, i cili hap mundësinë e mbështetjes publike, qoftë për renovimin e shtëpisë, rindërtimin e saj apo programet tona të përfshirjes në banimin social adekuat”, ka deklaruar Kurti.
Projekti PIAKOS synon të ndihmojë qytetarët për realizimin e të drejtave pronësore, me fokus të veçantë në lehtësimin e procedurave për regjistrimin e pronave.
(r.m.)