Kurti: S’ka kërkesë që aeroplanët luftarakë të Polonisë të nisen nga Kosova për në Ukrainë

Prishtinë, 10 mars 2022 – Kryeministri Albin Kurti tha se Kosova nuk ka marrë asnjë kërkesë që avionët luftarakë MIG-29 të shteteve anëtare NATO-s të nisen nga territori i saj për në Ukrainë.

Ai tha se institucionet e Kosovës do të japin përgjigjen e duhur sapo të marrin një kërkesë të tillë.

“Ne nuk kemi marrë një kërkesë të tillë, ndonëse Kosova nuk është vend anëtare e NATO-s, por ne e kemi NATO-n në Kosovë”, tha Kurti.

“Kur ta marrin një kërkesë mtë tillë do ta trajtojmë me qeverinë, presidenten e kuvendin dhe do të japim përgjigjen e duhur në kohë rekorde”, theksoi ai.

Kurti përsëriti se Kosova dëshiron të anëtarësohet në NATO sa më shpejt të jetë e mundur.

“Në një situatë të jashtëzakonshme që po kalon jo vetëm kontinenti ynë, nuk mund të sillemi në mënyrë të zakonshme. Prandaj, u kemi bërë thirrje aleatëve tanë strategjikë që të konsiderojnë shumë seriozisht përshpejtimin e proceseve integruese për Kosovën, me këtë rast edhe anëtarësim në NATO”, theksoi ai.

Kryeministri Kurti i ka bërë këto komente në Gjilan, pas vizitës në një fabrikë të vajit ushqimor, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve lidhur me raportimet se aeroplanët luftarakë MIG-29 të Polonisë mund të nisen  nga Kosova për në Ukrainë.

Polonia ka shprehur gatishmërinë që aeroplanët e saj  MIG-29 t’ia dërgojë Ukrainës, por jo nga territori i saj, për shkak të rrezikut se Rusia mund ta cilësojë këtë si përfshirje direkte në luftë kundër saj.

Varshava ka thënë se aeroplanët mund të dërgohen në bazën ushtarake amerikabe në  Meinz, në Gjermani, e prej andej mund të dërgohen në Ukrainë. Ky propozim është hedhur poshtë kategorikisht nga Shtetet e Bashkuara.

Ideja përdërgimin e aeroplanëve luftarakë MIG-29 të Forcës Ajrore të Polonisë është inicuar nga sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken. Gjatë vizitës në Poloni, ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të shqyrtojnë mundësinë që Polonisë t’I dërgohen aeroplanë të tjerë në vend të aeroplanëve MIG-29 që do t’ia dërgonte Ukrainës.

Sipas Blinkenit, aeroplanët MIG-29 do t’i hynin më shumë në punë ushtrisë ukrainase, për shkak se pilotët ukrainas janë të trajnuar për përdorimin e tyre.

(r.m.)